Ministria e Shëndetësisë e Malit të Zi thotë se shënimi i Kosovës me fusnontë në një dokument të sajin zyrtar ka qenë “gabim teknik”.
Pas lajmit të publikuar në media se Ministrja e Shëndetësisë në Qeverinë e Malit të Zi, Jelena Boroviniq Bojoviq në dokumentin për masat e reja kundër përhapjes së coronavirusit e kishte shënuar Kosovën me yll (fusnotë) që përdoret ngarendet që nuk e kanë njohur Kosovën, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë së Malit të Zi duke thënë se ishte një gabim teknik .
“Gjatë përgatitjes së tabelës me masat reja në luftën kundër pandemisë së shkaktuar nga virusi Covid 19, ndodhi një gabim teknik, gjatë të cilit Kosova u shënua me një yll”, thuhet në deklaratë, transmeton portali malazez CdM.
Më tej në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se menjëherë pasi është vërejtur gabimi shërbimi operativ i teknologjisë informative i Ministrisë së Shëndetësisë e kanë korrigjuar gabimin teknik, i cili mund të shihet në faqen e internetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në Gazetën Zyrtare të Malit të Zi.
Më herët, në një nga dokumentet e para të Qeverisë së re të Malit të Zi dhe të Ministrisë së Shëndetësisë së këtij vendi, i cili u referohet masave të reja kundër pandemisë COVID-19, Kosova u shënua me fusnotë.
“Zyrtarisht nuk kemi informatë se ka ndryshuar diçka në raport me qasje ndaj Kosovës. Raportet me Malin e Zi janë te shkëlqyeshme, fqinjësore”, tha zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës Antigona Baxhaku.
Në krye të Ministrisë së Shëndetësisë në Mal të Zi është mjekja Jelena Boroviniq Bojoviq..
Qeveria e re e Malit të Zi, e udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq, është zgjedhur më 4 dhjetor. Ajo përbëhet nga tre koalicione dhe dominohet nga partia Fronti Demokratik.
Kjo e fundit, në të kaluarën, është zotuar se do ta tërheqë njohjen e Kosovës. Qeveria e Malit të Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës disa muaj pas shpalljes së saj, në vitin 2008.