Gjithsej dhjetë vepra nga kompozitorë të ndryshëm kanë kaluar përtej përsosmërisë me rastin e koncertit të Korit të Filharmonisë së Kosovës, në kuadër të edicionit të pestë të “PriVocalFest”. Ishte një repertor ku dominonte gjuha e huaj, por prej të cilit, pjesët shqiptare kanë thyer kufijtë magjik të interpretimit. Secili anëtar pjesëmarrës ka bërë që me dhuntinë e tyre të shënojnë magjishëm natën e fundit të këtij festivali, i cili tash e pesë net me radhë ka sjellë koncerte që tejkalojnë pritshmëritë e publikut, shkruan KultPlus.
Ky koncert mbrëmë ka portretizuar literaturën muzikore korale duke filluar nga veprat e kompozitorëve të njohur si: Ēriks Ešenvalds, Mendi Mengjiqi, Thomas Simaku dhe Vasil S.Tole, të cilët kanë dëshmuar për një krijimtari sa të pasur aq edhe të ndjeshme, e njashtu edhe të bukur.
Kisha katolike “Shën Ndou” ka mirëpritur një numër të lartë të të pranishmëve, që kanë zënë vendin e tyre të posaçëm, me ç’rast hapësira është mbushur nga caku në cak. Qetësia, tashmë simbolike para nisjes së çdo koncerti të Filharmonisë së Kosovës, u bë pjesë e pandashme e kësaj nate. Hijeshia, eleganca, ndjeshmëria dhe intensiteti që prekte dy caqet e veta, janë krejt ato që kanë rrethuar komplet të pranishmit.
Prezenca e vokalit hyjnor të Korit të Filharmonisë së Kosovës si çdo herë, është ekzistuese nëpër secilin koncert. Kështu ishte edhe rasti mbrëmë, ku nuk kanë munguar as edhe instrumentet diversive që ëmbëlsisht iu kanë bashkëngjitur zërit të tyre. Përfshirja e pianos nën manovrimin e Melos Buzës dhe pjesëmarrja e Zanë Abazit në flaut, ia kanë shtuar një magjepsje shtesë kësaj mbrëmjeje.
Ndërkohë, mbizotërimi i vokaleve madhështore të sopranove si Adelina Paloja, Selvije Marteti, Elona Sadiku, Shkurte Hykaj, Urta Haziraj si dhe altos Dea Hamdiu, baritonit Shaban Behramaj, manovrimi i harpës së gojës nga Patris Berisha, inkuadrimi i elementeve koreografike dhe përfshirja e gotës që lëshoi tingujt në atmosferë, i ka dhënë audiencës një gjendje ndryshe nga e zakonshmja. Lirshmëria e tyre në veprim por harmonia e tyre mes vete, e ka mbështjellë këtë natë në një mënyrë të pakrahasueshme.
Në anën tjetër, dirigjenti i njohur Ēriks Ešenvalds me ritmin e tij të pandalshëm, ka dirigjuar këndshëm secilin anëtar të korit. Veçantia e tij dallohej në mënyrat e ndërveprimit me çdo kë përpara tij. Por, fuqia dhe energjia më e madhe u dëshmua dhe u përjetua më së miri nga luajtja e tri këngëve popullore si “Moj e bukura More”, “Qenke veshur me të bardha” dhe “Trëndelinë”, të cilat kanë arritur deri një nivel që s’është prekur asnjëherë më parë.
Këto surpriza vazhdimisht po bëhen pjesë e pandashme e Korit të Filharmonisë së Kosovës, që gjithmonë dëshmon për një talent të rrallë, unik dhe të papërsëritshëm. Mënyra e tyre e interpretimit, prezenca skenike e vokali i njëzëshëm, janë vetëm disa karaktersitika që gjithmonë kanë ndikuar dhe vazhdojnë të kenë ndikim të madhërishëm në atmosferën e çdo paraqitjeje. Kjo u vërejt edhe atëherë kur duartrokitjet e tej zgjatura e të shumta, kanë zënë vend në fund të këtij koncerti.
Për të folur më shumë rreth këtij koncerti, dirigjenti Ēriks Ešenvalds është shprehur se qëndrimi në Kosovë, po i ngjason si qëndrimi në shtëpi.
“Është hera ime e parë në Kosovë dhe kam qëndruar vetëm një javë këtu. Për shkak të këtyre njerëzve të mrekullueshëm, çdo minutë këtu, unë e kam ndjerë si në shtëpinë time. Nesër e kam fluturimin tim për tek familja ime dhe fëmijët e mi, dhe do iu rikthehem studentëve të kompozimit në Akademi. Nga toka juaj në tokën time, unë do të marr këtë pasuri të mrekullueshme të folklorit, e po ashtu edhe zërat e juaj të bukur”, ka thënë ai.
Ndërsa, drejtori i “PriVocalFest” Hajrullah Syla për KultPlus ka potencuar se ky edicion ka qenë mjaft përmbushës dhe se është ndarë i kënaqur me arritjet.
“Ky koncert ishte thjesht brilant, duke nisur nga veprat, interpretimi, e deri tek drejtimi i dirigjentit fantastik. Ata e murrën publikun me vete gjatë gjithë natës, andaj qëllimi i këtij koncerti dhe ardhja e dirigjentit në këtë koncert, dëshmon se gjithçka ia ka vlejtur. Secili koncert në këtë edicion ka pasur peshë të madhe, artistë të mëdhenj që kanë sjell vlera të mëdha, andaj që sigurisht që ka qenë shumë e vështirë, por me vullnet e punën me stafin që e kemi bërë, është lehtësuar gjithçka. Mendoj që çdo koncert ka pasur publik mjaftueshëm dhe çdo herë janë ndarë të kënaqur me performancën e gjithsecilit, andaj edhe i kemi arritur prishtmëritë e tyre. Secili koncert ka qenë ndryshe me program, është trajtuar ndryshe dhe ka pasur lidhshmëri me njëra-tjetrën, andaj koncertet kanë qenë të rëndësishme njëtrajtësisht. Jam tejet i kënaqur me atë se çfarë kemi arrirë të bëjmë në këtë edicion”, ka thënë Syla.
Ai tutje ka pohuar se puna për edicionin e radhës po vazhdon. Po ashtu, ka bërë të ditur se kontaktet me artistë të mëdhenj po vazhdojnë si dhe tashmë mbetet vetëm një kohë e shkurtër që të finalizohen kontratat, marrëveshjet dhe përgatitjet për nisjen e edicionit të gjashtë.