3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Koordinojnë aktivitetet për ri-licencim të profesionistëve shëndetësor

Me qëllim të informimit sa më të mirë dhe bashkëpunimit në procesin e ri-licencimit të profesionistëve shëndetësor në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë zhvilloi sot në Prishtinë një takim me përfaqësues të Odave profesionale, Sindikatës dhe shoqatave të ndryshme profesionale, ku në detaje janë diskutuar elementet që e shoqërojnë procesin e ri-licencimit si dhe janë shpjeguar edhe fazat se si Ministria dhe Odat e profesionistëve  shëndetësor e kanë dizajnuar këtë proces.
Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani shpjegoi para të pranishmëve se qëllimi i këtij procesi është që profesionistëve shëndetësor të niveleve të ndryshme t’u njihen angazhimet e deritanishme profesionale të kryera në kuadër të procesit të Edukimit të Vazhduar Profesional, dhe gjithashtu, të nxitet edukimi i vazhduar me qëllim që profesionistët shëndetësor të jenë sa më të përgatitur në ushtrimin e profesionit të tyre.
“Nuk është e vërtetë se në shëndetësi ka përgjumje, sepse profesionistët tanë nuk kanë qëndruar duarkryq pas marrjes së licencave të para, por kanë zhvilluar aktivitete profesionale në vend dhe jashtë dhe ky angazhim i tyre duhet të njihet, ndërkohë që mjekësia kërkon që procesi i edukimit të vazhdojë gjatë gjithë jetës”, tha Ministri Rrahmani.
Ai tha se në procesin e ri-licencimit, përveç Ministrisë do të jenë edhe Odat e profesionistëve që tashmë kanë marrë kompetencat që këtë proces ta zhvillojnë së bashku me MSh-në, ndërkohë që me kontributin e tyre do ta ndihmojnë procesin edhe  Fakulteti i Mjekësisë,  Federata e Sindikatës së Shëndetësisë së Kosovës dhe shoqatat profesionale.
“Ky është një proces plotësisht i mundshëm që do të kryhet pa shkaktuar ndonjë problem në sistem”, tha Ministri Rrahmani, duke theksuar se institucionet shëndetësore dhe menaxherët e tyre kanë mundësi që të dizajnojnë programe, të cilat do të akreditohen nga Bordi për EVM dhe pa pasur nevojë që të bëhen shpenzime individuale nëpër konferenca dhe të keqpërdoret procesi, të arrihen pikët e mjaftueshme për akreditim”, tha Ministri.
Kryetari i Bordit për Licencim të Profesionistëve Shëndetësor ka shpjeguar se procesi i ri-licencimit  nga Ministria është paraparë të zhvillohet në tre faza.
Gjatë fazës së  parë , shpjegoi ai, është paraparë të bëhet ri-licencimi i atyre që kanë pikë akredituese të mjaftueshme që tani, që mund të përfshijë 20-30 % të gjithë profesionistëve , duke e bërë valorizimin e pikëve akredituese dhe pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2016.
Faza e dytë-që mund të sjellë një fluks shumë më të madh të kërkesave për ri-licencim do të shoqërohet me trajnime të ngjeshura  të akredituara nga MSH/BEVP, të cilat do të dizajnohen nga institucionet shëndetësore dhe do të përfshijnë të gjitha institucionet.  Pra, secili do ta këtë rastin që të trajnohet dhe t’i arrij pikët aty ku punon. Këto trajnime-aftësime profesionale do ta zgjasin tre muaj dhe përgjatë kësaj faze do të ketë edhe më tej një vijueshmëri liberale, ndërsa shoqatat do të duhet të kujdesenn që në konferencat që organizojnë të kenë vijueshmëri të profileve përkatëse, ka shpjeguar profesor Bajrami.
Faza e tretë ndërkaq, përmbyllet më 30 qershor, dhe nëse gjatë kësaj kohe, dikush nuk ka shfaqur fare interesim për aktivitete të edukimit të vazhduar  dhe mungesë vullneti, do të mund t’i nënshtrohet  provimit profesional, shpjegoi më tej ai.
Por, theksoi profesori, “ri-licencimi është proces i mundshëm dhe pikët e mjaftueshme mund të mos i arrij vetëm ai që nuk ka interesim fare”.
Ministri Rrahmani ndërkaq, ritheksoi faktin se i ka njoftuar kohë më parë menaxherët e të gjitha institucioneve që të përgatiten për këtë proces, t’i bëjnë planet dhe bashkë me Odat, të fillojnë me aktivitetet e edukimit të vazhduar profesional, duke krijuar mundësi brenda institucioneve që ri-licencimi të rezultojë një proces i suksesshëm.
Në këtë takim, përfaqësuesit e Fakultetit të Mjekësisë, Odave,   Sindikatës, të Shoqatave, kanë parashtruar pyetjet të ndryshme konkrete nga anëtarësia e tyre dhe profesionistët rreth procesit të ri-licencimit, duke shprehur në të njëjtën kohë gatishmërinë për të bashkëpunuar në këtë proces, me qëllim, që secili profesionist, ta ketë mundësinë e krijuar që t’i arrijë pikët e mjaftuara, në një proces transparent dhe të koordinuar.
Në këtë takim është diskutuar edhe për ri-licencimin e disa profileve specifike dhe është vlerësuar se për to do të përgatiten module adekuate me qëllim që të sigurohet edhe profilizimi i tyre, por edhe ri-licencimi.
Ka qenë konkluzion i përbashkët që në procesin e ri-licencimit të vazhdojë komunikimi dhe bashkëpunimi i të gjithë subjekteve pjesëmarrëse në takim, ndihma reciproke dhe procesi të zhvillohet me sa më shumë transparencë, me kosto sa më të ulët dhe duke prezantuar e zhvilluar brenda afateve programet konkrete përmes të cilave profesionistët do t’i arrijnë pikët, por edhe zhvillimin  e tyre profesional.
Nga ky takim është bërë thirrje profesionistëve që të mos bëjnë shpenzime të panevojshme financiare duke marrë pjesë në konferenca e seminare të ndryshme vetëm sa për t’i arritur pikët, me që procesin do të mund ta ndjekin brenda institucioneve të tyre, me një interesim të madh dhe pa krijuar ngarkesa apo panikun se mund të mbesin ta pa licencuar.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img