269 sete librash nga autorë të ndryshëm i dhuroi sot Rexhep Hoti, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Librat iu dhuruan si shpërblim nxënësve fitues të garës Nacionale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe garës Nacionale të Diturisë në Komunën e Fushë Kosovës si dhe të Kamenicës.
Me këtë rast, Koordinatori Hoti uroi edhe fillimin e gjysëmvjetorit të dytë duke thënë se po nis këtë gjysëmvjetor duke shpërblyer nxënësit për suksesin e arritur. Në Kamenicë, ai theksoi rëndësinë e shkollimit ndërkohë që shprehu përkrahje për reformat në arsim, e në Fushë Kosovë foli për masivitetin e garave dhe rëndësinë e tyre.
“Jam i lumtur që sot po ju dhuroj atë që keni fituar me dijen tuaj nga garat që keni zhvilluar. Angazhimi i fuqishëm i komunave, drejtorëve, mësimdhënësve, prindërve, DKA-ve dhe nxënësve ka treguar se kur punojmë për qëllime të përbashkëta, mund t’i realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Falë kësaj pune sot 44,723 nxënës mbajnë titullin e fituesit dhe që të gjithë janë shpërblyer. Në Komunën e Kamenicës janë bërë reforma në arsim dhe ne si qeveri ju garantojmë se asnjë nxënës nuk do të mbetet pa shkollim sepse kjo është e drejtë kushtetuese ”, tha Koordinatori Hoti.
Edhe Kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati foli për rëndësinë e shkollimit dhe të shpërblimeve që u ndanë për nxënës. “E falënderoj Koordinatorin për gjithë punën që ka bërë e sidomos për këto shpërblime. Nuk ka gjë më të çmueshme sesa dija e dhuratë më të mirë se libri. Sukseset do të jenë çdo herë me ju nëse ndiqni rrugën e shkollimit dhe të dijes”, tha Kastrati.
Nxënësit fitues u ndanë të kënaqur me shpërblimet ndërsa treguan edhe për përgatitjet që kanë bërë për garat. Komuna e Kamenicës ka pasur 968 nxënës fitues në të gjitha nivelet e garës nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Dituri. Ndërkaq, 530 fitues në të gjitha nivelet e garës ka pasur komuna e Fushë Kosovës.