Site icon PrishtinaPress

Kontratat e dyshimta të AKP-së me Lushtakët (Video)

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) i ka nënshkruar tri aneks-kontrata me kompaninë “Security Code”, pronë e Ukshin Lushtakut, vëllait të kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku.
Aneks-kontratat me vlerë prej rreth 700 mijë eurosh janë nënshkruar pa tenderë publikë, duke u thirrur në kontratën e vitit 2014, të cilën kompania e sigurimit fizik e ka me AKP-në.
“Gazeta Jeta në Kosovë“ zbulon se aneks-kontrata e parë është nënshkruar në muajin shkurt, njëra në muajin maj dhe e fundit në javën e parë të muajit shtator.

“Gazeta JnK” ka gjetur se aneks-kontratat për ofrimin e sigurimit fizik të objekteve janë nënshkruar përkundër faktit që AKP-ja dhe “Security Code” kanë pasur një kontratë valide për të njëjtën periudhë.
AKP-ja kishte nënshkruar një kontratë dyvjeçare me “Security Code”, që përfundonte më 1 shtator të vitit 2016. Vlera e kësaj kontrate ishte 1 milion e 872 mijë euro.
Ndërkohë, vlera e dy aneks-kontratave të para, të cilat janë shpenzuar deri në shtator 2016, ishte 457 mijë euro.
Pra, AKP-së i ka kushtuar sigurimi fizik për gati gjysmë milioni euro më shtrenjtë se sa vlera e kontratës që ishte valide deri në fillim të shtatorit të vitit 2016.
Llogaritë matematikore tregojnë se për dy vite Agjencia Kosovare e Privatizimit ka shpenzuar rreth 2 milionë e 300 mijë euro, apo rreth 25 për qind më shumë se sa shuma fillestare e planifikuar.
Hulumtimi zbulon se në përmbyllje të kontratës AKP-ja ende nuk ka arritur të nënshkruajë kontratën e re dyvjeçare, duke u detyruar që në muajin shtator të nënshkruajë edhe aneks-kontratën e tretë. Pra, në fillim të këtij muaji ka hyrë në fuqi edhe aneks-kontrata e tretë, e cila ka një vlerë prej 246 mijë euro.
“Gazeta Jeta në Kosovë” ka zbuluar se kjo aneks-kontratë ishte planifikuar të nënshkruhej në muajin gusht, mirëpo ajo ka hyrë në fuqi vetëm në javën e parë të muajit shtator. Prolongimi i nënshkrimit ishte bërë pas dërgimit të pyetjeve nga “Gazeta Jeta në Kosovë”.
Kështu, vlera e aneks-kontratave të nënshkruara në mes të AKP-së dhe kompanisë “Security Code” gjatë vitit 2016 është 703 mijë euro.
“Security Code” është pronë e Ukshin Lushtakut, vëllait të kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku. Bashkëpronar është edhe Valdrin Tahiri, që është djalë i Esat Tahirit, ish-truprojë i Sami Lushtakut.
Në fakt, pronësia e kësaj kompanie është ndryshuar në muajin dhjetor të vitit 2012, kur pronarë ishin Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku, djali i vëllait të Sami Lushtakut.
Ndryshimi i pronësisë ishte bërë disa muaj pas nisjes së hetimeve për tenderin për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, vlera e të cilit ishte rreth 6 milionë euro. Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.
Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish-drejtori i Prokurimit, Driton Pruthi, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj e ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha, akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare. Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.
Dyshimet për shkëputjen e kontratës
Kompania “Security Code” është kujdesur për objektet dhe asetet shoqërore për një kohë të gjatë. Ajo kishte një kontratë në vitin 2012 që peshonte 1 milion e 32 mijë euro. Kontrata ishte dyvjeçare. Kurse në shtator të vitit 2014, AKP-ja kishte nënshkruar një kontratë të re me kompaninë “Security Code” të cilën e kishte fituar pas konkurrimit në tenderin publik të hapur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Kontrata ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2014. AKP-ja kishte planifikuar se gjatë dy viteve sa do të zgjaste kontrata, deri me 1 shtator 2016, do të shpenzoheshin 1 milion 872 mijë e 200 euro. Kjo ishte vlera e përgjithshme e kontratës, ndërkohë që kompania kishte ofruar një çmim prej 2.0178 euro për orë, duke e përfshirë edhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Megjithatë, Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte iniciuar tenderin e ri për sigurimin fizik në muajin dhjetor të vitit 2015, ani se kishin mbetur edhe 10 muaj të kontratës 2-vjeçare.
Në AKP thonë se inicimi i tenderit ishte bërë pas kërkesave të departamenteve brenda AKP-së me arsyetimin se ishin harxhuar mjetet e parapara në kontratë. Pra, ishin shpenzuar mjetet e kontratës, pasi për një periudhë të shkurtër ishte kërkuar më shumë orë pune se sa planifikimi fillestar.
Hulumtimi i “Gazetës JnK” tregon se shkëputja e kontratës dyvjeçare ishte bërë në mënyrë kundërthënëse.
Menaxheri i kompanisë “Security Code”, Esat Tahiri, shprehet i habitur se si AKP-ja kishte iniciuar tenderin në dhjetorin e vitit 2015 ani se kishte kontratë valide.
“Kontrata kornizë ka qenë dyvjeçare, ndërsa AKP-ja një vit para se të përfundojë ka shpallur tender të ri me të vetmin arsyetim se i është harxhuar buxheti i parashikuar për kontratën e rregullt dhe duhet të ndërpritet (është fjala për kontratën e 1 shtatorit 2014)”, shpjegon Tahiri. “E kemi kundërshtuar këtë ndërprerje të kontratës dhe i kemi bërë me dije AKP-së se kemi kontratë valide deri më 1 shtator 2016”.
AKP-ja përmend disa faktorë që kanë ndikuar në harxhimin e parakohshëm të mjeteve.
Ajo përmend mungesën e bordit funksional, si një nga arsyet që kanë ndikuar që kontrata dyvjeçare të përfundojë 6 muaj përpara.
“Mungesa e bordit të drejtorëve për dy vjet ka shkaktuar që asnjë aset mos të shitet gjatë kësaj kohe duke pamundësuar realizimin e objektivave të paraparë në inicimin e deklaratës së nevojave dhe disponueshmërise së mjeteve dhe duke ndikuar që shpenzimet mos të zvogëlohen por përkundrazi të rriten”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.
Dhe arsyeja e dytë që është përmendur është nevoja e shtuar për staf të sigurimit gjatë largimit të uzurpatorëve nga objektet e uzurpuara. Vendimi për largimin e uzurpatorëve ishte marrë pas nënshkrimit të kontratës, prandaj sipas AKP-së nuk ka qenë i mundur planifikimi i këtyre shpenzimeve shtesë.
Palët kontraktuese kanë mospajtime edhe sa i përket kontratës së nënshkruar në vitin 2014. Përderisa, menaxheri i kompanisë “Security Code” thotë se kontrata e nënshkruar është kontratë kornizë, këtë gjë e mohojnë në AKP.
“Po të ishte kontratë kornizë ne si autoritet do të kishim të drejtën me shpenzu deri në 30% më tepër të kontratës bazë, por meqenëse ka qenë kontratë afatgjatë atëherë ne nuk kemi mundur me shfrytëzua këtë të drejtë, por jemi detyruar përveç aneksit bazë të nënshkruajmë edhe dy kontrata emergjente”, thuhet në përgjigjet e AKP-së dhënë “Gazetës JnK”.
Nënshkrimi i aneks-kontratave
Përkundër mospajtimeve për mënyrën e shkëputjes së kontratës, AKP-ja e kishte iniciuar tenderin e ri në dhjetor të vitit 2015. Në ditën kur pritej dorëzimi i ofertave, një kompani ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Gjykata e Tenderëve, bazuar në Ligjin e Prokurimit Publik, e ka pezulluar procesin e prokurimit deri në marrjen e një vendimi final për pretendimet e një operatori ekonomik.
Megjithatë, disa ditë pas pezullimit të procesit të prokurimit, bordi i OSHP-së ishte bërë jofunksional pasi ishte dorëhequr nga pozita kryetari i bordit, Hysni Hoxha. Shqyrtimi i ankesës nga OSHP-ja ishte vonuar, prandaj AKP-ja kishte nënshkruar aneks-kontratën me kompaninë “Security Code”, përkundër që me të njëjtën kishte kontratë valide.
“Aneks-kontrata e parë ka ardhur ende pa përfunduar kontrata e rregullt (të cilën AKP-ja e ka shfuqizuar), pra e cila ishte deri me 1 shtator 2016 me arsyetimin e AKP-së se i është harxhuar buxheti i parashikuar dhe duhet të shpallet tender i ri dhe të udhëhiqen procedura të reja të prokurimit”, ka thënë Tahiri.
Ndërkohë që AKP-ja kishte nënshkruar aneks-kontratën, OSHP-ja kishte vendosur për ankesën e kompanisë “Alpha Private Security”. Kompania e kishte tërhequr ankesën nga OSHP-ja duke i mundësuar AKP-së vazhdimin e procedurës së prokurimit. Por, AKP-ja kishte vendosur të anulonte tenderin dhe të niste procedurën nga fillimi. Në muajin maj është hapur tenderi i ri për kontraktimin e një kompanie për ofrimin e shërbimeve të sigurimit fizik për dy vitet e ardhshme.
“Gazeta JnK”ka dërguar pyetje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit rreth kontratave të nënshkruara për sigurimin fizik.
Në AKP kanë thënë se rrethanat e krijuara e kanë shtyrë atë të nënshkruajë tri kontrata brenda një viti me kompaninë “Security Code”. E para, sipas tyre, ka qenë aneks-kontratë që peshonte 187 mijë euro, apo 10 për qind të kontratës bazë.
“Aneks-kontrata bazuar ne kontratën bazë është nënshkruar më 18 shkurt 2016 në shumën totale prej 187 mijë e 200 euro që nënkupton 10% të vlerës totale të kontratës bazë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të AKP-së.
Kontrata e dytë prej 270 mijë eurove, sipas AKP-së, është nënshkruar me 18 maj si prokurim emergjent, pra me numër të ri të prokurimit. Me të njëjtën procedurë ishte nënshkruar edhe aneks-kontrata e tretë prej 246 mijë euro.
AKP-ja thotë se të gjitha aneks-kontratat e nënshkruara janë bërë bazuar në çmimin e kontratës bazë dyvjeçare, e cila ishte lidhur në shtator të vitit 2014.
“Aneks-kontrata e nënshkruar nuk përmban çmime më të larta se sa çmimet që ka ofruar kompania e shpallur fituese përmes tenderit, që do të thotë se Agjencia nuk e ka dëmtuar aspak buxhetin gjatë kësaj periudhe tremujore. Përkundrazi. Nënshkrimi i kësaj aneks-kontrate me këtë kompani ka qenë interesi i Agjencisë për vazhdim të shërbimeve të sigurimit të aseteve që administron Agjencia, deri në nënshkrimin e kontratës së re”, ka thënë AKP-ja në përgjigjet dërguar “Gazetës JnK”.
AKP-ja ka dërguar edhe një listë të kostove që ka AKP-ja për të siguruar objektet e disa ndërmarrjeve shoqërore që janë në likuidim, siç është “Grandi”, “Fapoli” apo Tregu.
Gjykata e Tenderëve gjen shkelje në tenderin e ri të AKP-së
Kanë kaluar 10 muaj që kur AKP-ja ka iniciuar tenderin për sigurimin fizik të aseteve shoqërore. Pas anulimit të tenderit të parë po zvarritet edhe tenderi i dytë për këtë shërbim, i iniciuar në muajin maj.
Gazeta JnK e ka siguruar vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit. Gjykata e Tenderëve ka konstatuar se Agjencia Kosovare e Privatizimit ka bërë shkelje ligjore në procesin e prokurimit kur e ka rekomanduar për kontratë dyvjeçare kompaninë “Delta Security”. Ajo kishte ofertuar me 1 milionë e 905 mijë euro. Kundër këtij njoftimi ishin ankuar në OSHP dy kompani: “Security Code” dhe “Besa Security”.
Gjykata e Tenderëve ka gjetur se AKP-ja ka bërë shkelje ligjore me rastin e vlerësimit të ofertave. Dy kompanive u është miratuar ankesa.
Sipas OSHP-së, pretendimet ankimore të “Security Code” janë të bazuara pasi që AKP në kundërshtim me aneksin 1 të specifikacioneve teknike ka rekomanduar për dhënie të kontratës operatorit ekonomik i cili ka ofruar listën jo të plotë për përcaktim të menaxherëve sipas përgjegjësive në total për shtatë regjione.
Në vendimin e OSHP-së thuhet se janë të qëndrueshme pretendimet e dy kompanive “Security Code” dhe “Besa Security”. Ato pretendojnë se AKP-ja nuk e ka bërë kalkulimin e duhur të pagës së punëtorëve. Të dy operatorët pretendojnë se oferta e bërë nga kompania e rekomanduar për kontratë nuk është e mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve për pagën të kërkuar në dosjen e tenderit.
“Gjatë rivlerësimit të ofertave konform rekomandimit të ekspertit të bëjë edhe njëherë përllogaritjen e detajuar duke rishqyrtuar dhe ri-konfirmuar në proces të ri-vlerësimit, nëse operatori i rekomanduar për dhënie të kontratës ka ofertuar konform kërkesave të dosjes së tenderit”, thuhet në rekomandimet e Panelit Shqyrtues të OSHP-së. /KALLXO.com/

Exit mobile version