Në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, paditësi M.S., ka bërë precizimin e kërkesëpadisë, ku tani po kërkon që vëllai i tij B.S., t’ia paguajë 59 mijë e 670 euro, në kontestin për vërtetimin e pronësisë.
Përfaqësuesi i paditësit M.S., avokati Naser Peci, ka deklaruar se e kanë pranuar raportin e vlerësimit plotësues të ekspertizës së ekspertit Hyzri Llabjani dhe se nuk kanë kërkesa për sqarim eventual të plotësimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mbas deklarimit të ekspertit, e bëjmë precizimin e padisë sipas parashtresës së 6 shkurtit 2020 dhe pas fjalës së shumës duhet të qëndrojë vlera 59 mijë e 670 euro, pjesa tjetër mbetet e pandryshuar”, shtoi avokati Peci.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurit B.S., avokati Ragip Zeneli, tha se konsideron që ekspertiza ka qenë e panevojshme, si dhe konstatimet në të, andaj të njëjtën e kundërshton si të pabazuar.
Kurse, eksperti Hyzri Llabjani deklaroi se qëndron pranë ekspertizës së hartuar me shkrim,
I padituri B.S., i cili është përfaqësuesi i ndërhyrësve në këtë procedurë K.M, M.S, B.S, M.M dhe V.G., e ka kundërshtuar kërkesën për kompensim të M.S dhe ndërhyrësit A.S, pasi që nuk është penguar parcelizimi dhe shitja e ngastrës 495-0 në kohën e shitjes.
Ai tha se atë parcelë janë ndërtuar 12 shtëpi që nga viti 2006 dhe blerësit deri tani nuk janë.
Në seancë, ishte prezent edhe ndërhyrësi tjetër A.S., i cili nuk ka shprehur vërejtje as në ekspertizë e as në vlerën e precizuar të kërkesëpadisë. Ai tha se pas dëgjimit të ekspertit vlerësues, me parashtresë të veçantë do të bëjë precizimin e kërkesëpadisë.
Gjykatësi Bujar Dobërdolani, përmes aktvendimit e ka detyruar të paditurin – kundërpaditësin dhe ndërhyrësit tjerë që të bëjnë parashtresë të veçantë për precizimin e kërkesëpadisë dhe atë në afat prej tre ditësh.
Në këto rrethana, seanca e sotme ka përfunduar, ndërsa e radhës është caktuar më 20 korrik 2023.
Ndryshe, sipas padisë së 14 tetorit 2003, paditësi M.S ka paditur B.S (vëllanë e tij) dhe po kërkon vërtetimin e pronësisë, duke u bazuar në certifikatën mbi të Drejtat e Pronës së Paluajtshme i padituri evidentohet si pronar dhe i ngastrave kadastrale në vendin e quajtur “Vishe Sella” në sipërfaqe prej 10,046 m2 dhe të ngastrës kadastrale në sipërfaqe prej 23,090 m2.
Mirëpo, në padi thuhet se ngastrat kadastrale të lartcekura, nuk janë vetëm pronë e të paditurit, por janë pronë e përbashkët edhe e vëllezërve A. dhe B.S., pasi është krijuar me punën e përbashkët të katër vëllezërve, ndërsa përkundër kësaj i padituri nga këto dy ngastra i ka shitur 3000 m2 pa u konsultuar edhe me vëllezërit tjerë me qëllim të përfitimit personal.
Andaj, mbi këtë bazë paditësi kërkon nga gjykata që të aprovohet si e bazuar padia dhe kërkesëpadia e tij, po ashtu edhe të vërtetohet se paditësi në bazë të kontributit me punë dhe të siguruara derisa ka qenë në bashkësi familjare me të paditurin dhe vëllezërit tjerë ka të drejtën e pronësisë në pjesën prej ¼ të paluajtshmërive kontestuese dhe që të njëjtat të regjistrohen në emër të paditësit në Zyrën Kadastrale të Komunës së Obiliqit.
Po ashtu, paditësi përmes padisë kërkon edhe që të obligohet i padituri që t’ia paguajë të gjitha shpenzimet procedurale.