Site icon PrishtinaPress

Konstituohet kryesia e re e PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka mbajtur sot mbledhjen konstituive me anëtarët e kryesisë së re të PDK-së.

Një ditë pas miratimit në këshillin drejtues, kryesia e re e PDK-së, ka nisur menjëherë punën dhe ndarjen e detyrave për të punuar në realizimin e programit të PDK-së dhe vizionit të kryetarit të ri, për të realizuar reformat për fitoret e ardhshme për PDK-në dhe Kosovën.

Sipas një komunikate të PDK-së, kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi iu dëshiroi mirëseardhje në PDK anëtarëve të rinj të kryesisë të cilët i janë bashkuar PDK-së dhe vizionit të saj si parti shtet formuese.

Ai po ashtu ka uruar edhe anëtarët e rinj të kryesisë së PDK-së që janë rritur politikisht në parti e që tani kanë arritur të përfaqësohen në kryesi.

Kreu i PDK-së edhe gjatë mbledhjes së kryesisë, ka falënderuar të gjithë anëtarët e këshillit drejtues për besimin e dhënë për kryesinë e re, e cila siç tha ai, ka para vetes shumë punë e sfida drejt arritjes së fitores së PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.

Krasniqi ka diskutuar edhe për përgatitjet e deritashme për zgjedhjet lokale të tetorit.

Ai tha se Partia Demokratike të Kosovës ka kandidatët më të mirë dhe më kredibil për të udhëhequr me komunat dhe qytetarët e Kosovës do të vlerësojnë përkushtimin dhe angazhimin e kandidatëve të PDK-së të cilët do të ofrojnë programin më të mirë qeverisës për të udhëhequr komunat e Kosovës.

Nga ana tjetër edhe anëtarët e kryesisë së re të PDK-së falënderuan kryetarin Memli Krasniqi dhe këshillin drejtues për besimin e dhënë dhe mundësinë e ofruar për të dhënë kontribut në vizionin e PDK-së për të ardhmen e Kosovës.

Exit mobile version