Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tjera në Kosovë, i nisur dy dekada më parë, është afër përmbylljes.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se ky proces është ndërlidhur tashmë me formimin dhe funksionalizimin e Fondit Sovran.
“Draft-ligji për Fondin Sovran është afër finalizimit dhe së shpejti pritet të procedohet për miratim në Qeveri. Ligji nënkupton themelimin e Fondit Sovran dhe shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, thotë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë.
Ai nuk ofron ndonjë afat kohor se kur mund të përmbyllet i gjithë procesi.
Por, me planin qeverisës të ekzekutivit të tanishëm është vendosur që pasuria e Kosovës të mbrohet përmes Fondit Sovran, i cili do t’i marrë në pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për të mundësuar investime nga jashtë dhe qasje në tregje të huaja të kapitalit.
Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit konfirmojnë për REL-in se kanë nisur evidentimin e aseteve që do t’i barten Fondit Sovran.
Sipas AKP-së, deri më tani, janë evidentuar gjithsej 2.448 asete, përfshirë: miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, pika të karburanteve, qendra rehabilituese, zyra, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera.
Në mesin e ndërmarrjeve shoqërore, të konsideruara të mëdha, janë edhe disa që kanë dështuar në privatizim.
Procesi i privatizimit në Kosovë ka nisur në vitin 2003 nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), ndërsa është bartur në vitin 2008 tek Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Kosova ka identifikuar 3.951 asete për privatizim. Deri më tani janë shitur 2.315 asete, në vlerë prej më shumë se 780 milionë eurosh.
Disa ndërmarrje shoqërore janë shitur përmes metodës së ashtuquajtur spin-off i rregullt, e cila lejon ndryshimin e veprimtarisësë ndërmarrjes.
Kurse, ndërmarrjet që janë konsideruar të mëdha, janë privatizuar me metodën spin-off special, e cila nuk lejon ndërrimin e veprimtarisë.
Sipas AKP-së, shumica e këtyre ndërmarrjeve shoqërore pas luftës, më 1999, kanë mbetur pa mirëmbajtje, me teknologji të vjetruar dhe pa investime për një kohë të gjatë.
Nga AKP-ja thonë se me shumë punë, ata kanë arritur t’i nxjerrin në tenderim dhe t’i privatizojnë shumicën prej tyre.
Teuta Kurshumlija është menaxhere e shitjes dhe marketingut në vreshtarinë dhe verarinë “StoneCastle” në Rahovec, e themeluar në vitin 1952 si ndërmarrja shoqërore“NBI Rahoveci”.
Kurshumlija thotë se në këtë kompani, që nga privatizimi në vitin 2006, janë bërë investime të shumta që e kanë bërë atë të suksesshme.
“Janë respektuar të gjitha proceset gjatë fazës së privatizimit. ‘StoneCastle’ punëson 230 punëtorë të përhershëm, ndërsa gjatë vitit arrijmë [të punësojmë] nga 600 deri në 700 punëtorë [sezonalë]”, thotë Kurshumlija.
Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit thonë se nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore janë krijuar qindra mijëra vende pune.
Punësimet më të mëdha, sipas këtij hulumtimi, janë bërë në Komunën e Suharekës, atë të Istogut, Drenasit, Mitrovicës së Jugut, Ferizajt, Gjilanit, Pejës, Gjakovës, Prishtinës dhe Prizrenit.
Me rregullore, çdo punëtor që ka qenë i evidentuar si punëtor i ndërmarrjes shoqërore në kohën e privatizimit, ka pasur të drejtë të marrë pjesë në 20-përqindëshin e të hyrave nga shitja. Sipas të dhënave zyrtare, janë mbi 51.000 persona që kanë përfituar nga ky 20-përqindësh.
Në mesin e ndërmarrjeve shoqërore, të konsideruara të mëdha, janë edhe disa që kanë dështuar pas privatizimit.
Kompanitë që kanë pësuar kështu, sipas AKP-së, janë: Ndërmarrja e Re “Miniera” dhe Industria e Magnezitit (MIM Golesh) në Lipjan, Ndërmarrja e Re “Miniera e Magnezit” (XIM Strezovc) në Kamenicë, Fabrika “Llamkos” në Vushtrri, “Grand Hotel” në Prishtinë dhe Ndërmarrja e Re “AgrokosovaHolding” në Suharekë.
Miniera e Magnezitit në Strezovc- Kamenicë, sipas AKP-së, ka deri në 5 milionë tonë rezerva të magnezitit. Atje dikur punonin mbi 1 mijë punëtorë.
Kjo minierë u privatizua nga kompania “Iming” në vitin 2007, me vlerë prej 730 mijë eurosh. Blerësi u zotua për investime deri në 14 milionë euro dhe punësim të 230 punëtorëve.
Miniera e Magnezitit është një prej aseteve që pritet t’i kalojë Fondit Sovran të Qeverisë së Kosovës.
Privatizimi nuk e ngjalli ekonominë e Kosovës
Në fillim, shpresat ishin që procesi i privatizimit të sillte zhvillim të hovshëm ekonomik dhe të gjeneronte vende të shumta pune. Por, ekspertë të ekonomisë thonë se kjo nuk është arritur gjatë 20 vjetëve të kaluar.
Berim Ramosaj, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se Kosova nuk mund të krenohet shumë me efektet e privatizimit.
Kosova, sipas tij, vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike – me një rritje ekonomike mesatare vjetore prej 4 për qind, e cila nuk e adreson problemin e papunësisë që kalon 20 për qind.
“Defektet në procesin e privatizimit kanë ardhur si pasojë e një procesi jotransparent, ka pasur gabime dhe veprime korruptive”, thotë Ramosaj.
Ai, megjithatë, pranon se edhe teknologjia e atyre ndërmarrjeve ka qenë e trashëguar dhe e vjetruar.
Hetimet e procesit të privatizimit
Procesi i privatizimit ka përfunduar në vitin 2020 në një Komision hetimor parlamentar.
Komisioni ka nisur hetimin e tij nga fillimi i punës së ish-Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, që u pasua nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
Ky komision nuk i ka dhënë konstatimet përfundimtare lidhur me atë se çfarë shkeljesh të procedurave apo keqpërdorimesh eventuale mund të kenë ndodhur gjatë procesit të privatizimit, por është thënë se ka indikacione se ky proces është përcjellë me një numër të madh të parregullsive.
Puna e atij komisioni ka mbetur e papërfunduar pasi në atë kohë Kuvendi i Kosovës është shpërndarë. /rel/