Anita Kalanderi ka marrë pikët maksimale në konkursin për Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë (MD). Derisa ajo ka siguruar 88.54 pikë në total, kundërkandidatja e saj, Flutura Berbati- Zena ka marrë 82.78 pikë, transmeton IndeksOnline.
Njoftimi është publikuar nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik, Divizioni për Zhvillimin e Rekrutimit dhe Inspektimit në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në pajtim me nenin 13, paragrafi 18 të rregullores Nr. 01/2022 për pranimin, vlerësimin dhe disiplinën e Nëpunësve të Lartë Drejtues.
Sipas njoftimit, kandidatët fitues në bazë të vlerësimit profesional nga Komisioni Shtetëror i Pranimit për pozitën, Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë me nr. të procedurës RN00011213 e shpallur me datë 14.03.2023 janë: Anita Kalanderi me 88.54 pikë në total ndërsa Flutura Berbati- Zena 82.78 pikë.
Derisa Anita Kalanderi kishte marrë 45.52 pikë në testin me shkrim dhe 43.02 pikë në vlerësim për intervistë, kundërkandidatja e saj Flutura Berbati- Zena kishte marrë 43.06 pikë në testin me shkrim ndërsa në vlerësim për intervistë kishte arritur të marrë 39.18 pikë.
Njoftimi është publikuar të hënën ndërsa nuk dihet se kur do të bëhet emërimi i sekretares së re.