Site icon PrishtinaPress

Konjufca: Serbia mund ta sulmojë Kosovën edhe pas nënshkrimit të propozimit franko-gjerman

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se rreziku i një sulmi nga Serbia ndaj Kosovës mbetet edhe nëse shteti serb e pranon dhe e nënshkruan propozimin franko-gjerman, i cili, sipas tij, është praktikisht njohje e sovranitetit të Kosovës.

Konjufca ka thënë se Kosova duhet në vazhdimësi të investojë në kapacitete ushtarake dhe të mos krijohen iluzione për Serbinë.

Sipas kryekuvendarit, një marrëveshje sipas propozimit franko-gjerman nuk do të zgjidhte problemin përfundimisht mes Kosovës dhe Serbisë, por do të ishte një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes.

“Nuk duhet të futemi në iluzione. Edhe nëse Serbia e nënshkruan këtë marrëveshje, ajo mund ta sulmojë Kosovën. Ne duhet të jemi të kujdesshëm, duhet të forcojmë ushtrinë, duhet të investojmë në ushtrinë tonë. Kjo nuk e zgjidh problemin përfundimisht, por është hapi më i madh deri tash nga ’99 për ta zgjidhur problemin”, ka thënë Konjufca në Klan Kosova.

Konjufca ka thënë se më 12 qershor të vitit 1999, Serbia e ka pranuar humbjen e Kosovës, por nuk e ka pranuar që Kosova është e shqiptarëve.

“Serbia e ka pranuar më 12 qershor ‘99, ia ka pranu ndërkombëtarëve që Kosova nuk është e vetja, por nuk ia ka pranu shqiptarëve që nuk është e tyre. Ajo e ka vazhduar betejën 20 vjet. Tash ka ardhur momenti tjetër, që me dorë të veten që Kosova nuk është e saj. Vetë ajo me pranu”, ka thënë ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka vlerësuar se presidenti Aleksandar Vuç mund ta ‘detyrojë’ kryeminsitren Ana Brnabiq që ta vendosë firmën mbi këtë marrëveshje.

Megjithatë, sipas tij, përpjekjet destabilizuese të Serbisë mund të vazhdojnë edhe më pas.

“Bile bile ai Vuçiqi nuk e nënshkruan fare, por e shti Bërnabiqin. Vu֛qiqi nuk do të ndryshojë, do të mbetet ai Vuçiq, e as karakteri i shtetit serb nuk ndryshon. Serbia nuk e ka pranuar propozimin franko-gjerman dhe deri tani nuk po shoh sanksione nga shtetet e huaja, ndoshta i shohim më vonë”, ka deklaruar ai.

Exit mobile version