Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka propozuar kthimin e shtatë ambasadorëve të Kosovës nga shërbimi diplomatik në botë, saktësisht ambasadores Vlora Çitaku, ambasadorit Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu.
Konjufca tha se që në fillim të mandatit është zotuar për vendosjen e rregullit dhe ligjit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Një ndër hapat e radhës është edhe kërkesa për kthimin e ambasadorëve politik që e kanë përfunduar mandatin 4 vjeçar të paraparë sipas ligjeve në fuqi të Republikës se Kosovës”, shkruan Konjufca në Facebook.
“Duke u bazuar në nenin 93, pika 8 dhe nenin 84 pika 25 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 13 të Ligjit nr.03/L-122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës (GZ. Nr 46/15 janar 2009) dhe bazuar në nenin 10 (paragrafi 9) të Rregullores për Shërbimin e Jashtëm dhe me qëllim të respektimit të nenit 7,7 të Ligjit Nr.03/L-207 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës,( GZ.76, 10 gusht 2010), në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozoj tërheqjen nga misioni të këtyre ambasadorëve politik: Vlora Çitaku, Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu”, shkruan Konjufca. /Telegrafi/