-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Konjufca për situatën në Veri: S’kam parë një reagim të fuqishëm të BE-së, sikur po mundohen ta amnistojnë Vuçiqin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thotë se nuk ka parë ndonjë reagim të ashpër të Bashkimit Evropian pas vendosjes së barrikadave në veri, derisa vuri në pah se e gjithë kjo që po ndodh në veri “është e orkestruar prej Beogradit”.

“Deri tani nuk kemi parë një gjuhë dhe ndërhyrje të qartë të Bashkimit Evropian për me ndëshkuar këto veprime të paligjshme dhe antikushtetuese të Serbisë brenda Republikës së Kosovës”, tha ai për RTV 21.

Madje sipas tij, BE-ja sikur do “ta amnistojë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç”.

“Nuk kam parë një reagim të fuqishëm të bashkësisë evropiane. Nuk ka një dënim të saktë dhe ndërlidhje të veprimeve që po ndodhin në veri të Kosovës, sikur po mundohen ta amnistojnë Vuçiç-in”, shtoi ai.

Kryekuvendari i Kosovës ka theksuar se “asgjë nuk është spontane, që na vjen prej Serbisë”.

Edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i kishte reaguar kryediplomatit evropian, Josep Borrell, pasi ky i fundit shkroi se Bashkimi Evropian nuk “toleron sulme ndaj EULEX-it”, siç ishte ai së shtunës në Veri, por diplomati spanjoll nuk i përmendi fare sulmet ndaj policëve të Kosovës.

“Borrell duhet të dënojë edhe të shtënat ndaj Policisë e Kosovës duke përmbushur detyrën e saj dhe duke mbrojtur të gjithë qytetarët e Republikës nga sulmet e bandave kriminale. Deklaratat që nuk dënojnë Vuçiç-in për agresionin e tij të hapur inkurajojnë përshkallëzimin e mëtejshëm”, shkroi Gërvalla.

Ndryshe, në veri të Kosovës serbët kanë vendosur barrikada në fshatin Rudarë të Zveçanit në shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.

Tensionet janë rritur që nga 6 dhjetori, kur u dëmtuan zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.

Që nga ajo kohë, në komunat me shumicë serbe, ka pasur të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave dhe shok bombave, ndërsa gjatë patrullimit, një zyrtar policor u plagos lehtë gjatë një sulmi në Zveçan më 8 dhjetor.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img