Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është pyetur sot në hyrje të Kuvendit të Kosovës për rastin e arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit. Konjufca ka thënë se drejtësia i ka punët e veta dhe se kudo që ka fakte apo dyshime, ato duhet të pastrohen e të sqarohet situate.
“Drejtësia i ka punët e veta. Mendoj që gjithkund ku ka fakte dhe dyshime, ato duhet të pastrohen, të sqarohet situata. Drejtësia e bën punën e tyre, do të ishte mirë që ta bënte në mënyrë jo selektive, ta bënte për të gjithë ku ka dyshime. E unë e di që dyshimet janë shumë më të mëdhaja se kaq për institucionet e ndryshme të Kosovës. Kudo që hetuesia, Policia apo hetuesia gjen dicka, unë mendoj që duhet të ndërhyjnë”, ka deklaruar Konjufca për Periskopin.
Ai tutje ka thënë se Krasniqin në pozitën e Kryeshefit të KEK-ut e ka vendosur Qeveria dhe jo Lëvizja Vetëvendosje.
“Z. Krasniqi është vendosur nga instituconet e Kosovës, jo nga Lëvizja Vetëvendosje. Është propozuar nga Qeveria e cila është e Lëvizjes Vetëvendosje, ndoshta në këtë kuptim po e lidhni. Por unë mendoj që drejtësia duhet ta bëj punën e vetë në çdo institucion të Kosovës, kudo që ka dyshime, kudo që ka le të themi fakte, argumente duhet të veprojë dhe të ndërhyjë. Nuk kam unë kurrfarë komenti tjetër në kuptimin pse apo qysh. Ajo çka shumë njerëz po japin vërejte është që dyshimet për korrupsion në Kosovë janë padyshim të qeverive të mëhershme dhe s’ka pas ndërhyrje të tilla, dmth në këtë kuptim ndoshta po bëhet kritika, që të mos jetë drejtësia selektive. Mirëpo, pse drejtësia mund të ofrojë argumente, ndërhynë në instituciomne pas hetimeve dhe pas ardhjes deri te evidenca, unë s’kam kurrfarë vërejtje për këto veprime”, ka thënë Konjufca.