0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Konjufca para Varherlyi i përmend përpjekjet e Rusisë për konflikte, i kërkon BE-së presion ndaj Serbisë

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, po merr pjesë në punimet e Konferencës së 11-të të Kryetarëve të Parlamenteve të Shteteve të Europës Juglindore, me temë diskutimi “Procesi i integrimit europian të vendeve të Europës Juglindore”.

Në konferencë, përveç delegacioneve të parlamenteve të rajonit po merr pjesë edhe Komisioneri për Zgjerimin i Bashkimit Europian, Olivèr Várhelyi, për të mbështetur në aspiratat eurointegruese të vendeve të Europës Juglindore që janë në proces integrimi.

Në fjalën e tij para pjesëmarrësve të kësaj konference, Konjufca njoftoi se ka theksuar rëndësinë e unitetit pan-europian “kundrejt rreziqeve që rajoni ynë dhe Europa në përgjithësi po përballet këto kohë, kur agresioni rus në Ukrainë po vazhdon, sikurse edhe përpjekjet për të përhapur vatra të reja konflikti dhe krize”.

“Në këtë kontekst, denoncova edhe një herë përfshirjen e Serbisë në sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës në shtator të këtij viti dhe njëherit i bëra thirrje Bashkimit Europian të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, thelbi i të cilit normalizim duhet të jetë njohja reciproke si dy subjekte sovrane dhe të pavarura, ashtu edhe siç përcaktohet në  Marrëveshjen e Brukselit”, tha Konjufca.

Po ashtu, Konjufca tha se ka folur edhe për progresin që Republika e Kosovës ka bërë në procesin integrues, përmes një plani kombëtar reformash integruese, ku Kuvendi i Kosovës ka luajtur rol krucial në miratimin, ndryshimin dhe plotësimin e një game të gjerë ligjesh dhe ristrukturimesh të kuadrit institucional në përputhje me kërkesat e Bashkimit Europian.

“Republika e Kosovës e sheh Bashkimin Europian si një bashkësi politike ku respektohen vlerat demokratike, liritë dhe të drejtat, sovraniteti dhe integriteti territorial i anëtarëve të saj”.

Në këtë konferencë shtetet aspiruese për integrim kanë mundësi të shkëmbejnë pikëpamje dhe përvoja për procesin integrues, veçanërisht nga këndvështrimi i kontributit të parlamenteve në mbështetjen e agjendës së reformave që shtetet duhet të ndërmarrin në rrugën e tyre drejt BE-së.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img