Site icon PrishtinaPress

​Konjufca: Padia kundër gjenocidit të Serbisë në Kosovë është afër

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar Kosova është afër përfundimit të padisë profesionale kundër gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

Konjufca pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se për padinë ndaj Serbisë janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesional.

“Prej ditës kur është bërë ndryshimi i madh dhe ka ardhë një qeverisje e re, është punuar pandërprerë, çdo ditë, edhe sot dhe mund të konstatoj që kjo është shumë afër…nuk mund të jap muaj apo kohë të caktuar veç se e dijë që është bërë një punë e madhe deri tash, janë konsultuar edhe personat më të rëndësishëm profesional, që kanë njohuri në këtë fushë për ndërtimin e një padie profesionale kundër gjenocidit të Serbisë ndaj popullit të Kosovës dhe mendoj që është bërë një punë e mirë deri tash, është afër por për të gjitha hollësitë ua shtroni pyetjen Qeverisë“, tha ai.

Për padinë ndaj Serbisë për krime lufte në Kosovë, ka folur edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Sikur shumë procese tjera jotransparence as për këtë nuk e dimë asgjë sepse nuk kemi qenë të involvuar dhe nuk e dimë as kjo shumë afër çka nënkupton, ku janë afër, çka është përgatit, kush janë ato ekipe që kanë punuar dhe thjesht nëse janë shumë afër mund të them se është një lajm i mirë“, tha ai.

Konjufca ka njoftuar se të mërkurën do të ketë vazhdim të seancës, ku do të shqyrtohen rreth 30 pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, derisa shtoi se nuk kishte kuorum për seanca të reja.

Sipas tij, punën e Kuvendit po e vështirëson qasja e opozitës që nuk po marrin pjesë në votim dhe pushimit të lehonisë së deputeteve nga pozita.

“Kjo situatë mund të zgjidhet edhe me kërkesën që e kanë vendosur si kusht për pjesëmarrje në punët normale të kuvendit nga ana e partive opozitave. Ata e kanë vendosur kusht çështjen e bllokimit të të hyrave vetanake të komunave dhe nëse kjo zgjidhet do të kemi punën shumë më të lehtë të Kuvendit. Krejt kjo sqarohet të hënën në mëngjes kur qeveria e ka mbledhjen dhe ta shohim nëse po e procedon atë plotësim ndryshim të ligjit, prej atij pastaj do të mundësohet që thesari të veproj në drejtim të zhbllokimit të mjeteve të cilat komunat pretendojnë se janë të tyre dhe janë edhe një e drejt kushtetuese dhe nuk mund t’i merr askush ato të hyra, thjesht janë bllokuar për shkak të një mënyre si është formuluar një amandament në projektligjin për buxhetin, kështu që nëse kjo çështje zhbllokohet ne e patëm premtimin nga opozita që do ta ndryshojnë qasjen e tyre“, tha ai.

Exit mobile version