Site icon PrishtinaPress

Konjufca në takim me Komisionin e Venecias: Byroja për Konfiskimin e Pasurisë është prioritet në agjendën e Kuvendit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga deputeti Adnan Rrustemi dhe këshilltarët, ka pritur sot në takim përfaqësues nga Komisioni i Venecias në përbërje Dan Meridor, James Hamilton dhe Michael Janssen, si dhe zëvendës shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Tankut Soykan, njofton Zyra për media e Kuvendit.

Konjufca ka thënë se Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është prioritet për nga rëndësia e legjislativit.

“Kryetari Konjufca i informoi të pranishmit në lidhje me agjendën e legjislativit dhe objektivat që pritet të realizohen gjatë këtij mandati, duke pasur si prioritet për nga rëndësia edhe Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.Ai theksoi se Kuvendi, si organi më i lartë legjislativ i vendit, ka rol shumë të rëndësishëm në miratimin e kornizës ligjore dhe kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatë.

Kreu i Kuvendit falënderoi Komisionin e Venecias për bashkëpunimin me Republikën e Kosovës dhe vlerësoi rolin e këtij Komisioni në ofrimin e opinioneve dhe rekomandimeve në lidhje me çështjet ligjore që trajtohen në institucionet e vendit tonë.

Exit mobile version