Site icon PrishtinaPress

Konjufca: Kuvendi i Kosovës model i mirë i pjesëmarrjes së grave

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë në Forumin “Gratë, Paqja dhe Siguria”, i cili filloi sot punimet në Prishtinë me moton “Ndërtimi i aleancave për Paqe të Qëndrueshme” dhe nën patronatin e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

Së bashku me deputetë nga rajoni dhe vende të Bashkimit Evropian, në panelin e moderuar nga Valbona Zeneli, kryetari Glauk Konjufca foli lidhur me rolin e parlamenteve në përshpejtimin dhe avancimin e agjendës Gratë, Paqja dhe Siguria.

Duke potencuar rëndësinë që pjesëmarrja e grave luan në zhvillimin e demokracisë parlamentare, kryetari Konjufca theksoi se krahasuar me vitet e kaluara, Kuvendi i  Kosovës sot prezenton një model të mirë të pjesëmarrjes së grave, por që është akoma larg nga ç’duhet të jetë. 

Referuar pjesëmarrjes së grave në nivele lokale, Konjufca tha se për dallim prej nivelit nacional,  ku shumica e grave deputete kanë fituar mandatin pa kuotë, në nivel lokal ekziston një diskrepancë e madhe mes përfaqësimit të grave dhe burrave. 

“Kuota gjinore, e cila në fillet e para të aplikimit nuk u vlerësua si mekanizëm që do t’i ndihmonte demokracisë, doli të jetë indikatori kyç që duke siguruar ulëse në parlament të shërbejë si stimulues për vazhdim të pjesëmarrjes së grave në politikë”, theksoi kreu i Kuvendit, Glauk Konjufca. 

Kryetari Konjufca e konsideroi po ashtu imediate nevojën e ndryshimit të të menduarit dhe qasjes ndaj grave.

Exit mobile version