Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se do të hyjë në histori si tradhtar kushdo që pranon ta bëjë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë pa njohje të çfarëdoshme nga Serbia. Ai ka thënë se pasi të ndodh njohja, Asociacioni mund të bëhet “për 2 orë”.
Konjufca në një intervistë në ATV ka thënë se ekzistojnë vetëm dy rrugë të dialogut, rruga e Kosovës që kërkon njohje nga Serbia përpara implementimit të Asociacionit dhe rruga tjetër ku Asociacioni bëhet e pastaj flitet për marrëveshje, për këtë të dytën Konjufca thotë se i konvenon Serbisë.
“Nuk ka alternativa, janë dy alternativa. Kjo rruga e Kosovës, edhe një rrugë tjetër. Rruga që e don më shumë Serbia dhe cila është ajo rrugë? Ju keni me bë asociacionin, asociacioni ka me pasë formën e kompetencave ekzekutive sepse ju e keni obligim të 2013-tës, e kur Kosova e realizon atë, palët janë të barabarta, fillojnë prej zeros. E këqyrim ne si bashkësi ndërkombëtare me bind Vuçiqin mos po e bën naj pranim te Kosovës. Unë nuk besoj, është mashtrim kjo shumë i madh, edhe ka me hi si tradhtar në histori të Kosovës kush e bën atë, kushdo, unë nuk po ia di emrin. Kushdo që e merr me e bë asociacionin pa kurrëfarë njohje prej Serbisë, as njohje defacto as çfarëdo, ku Serbia s’e merr garancën që sjelljen shtetërore me… Masi të ndodh kjo, kur të ndodh njohja de facto nga ana e Serbisë, pastaj edhe obligimi prej 2013-tës shumë lehtë bëhet. A e di sa kollaj bëhet, e bën një mekanizëm koordinues të disa kompetencave komunale, ajo kollaj bëhet, për 2 orë bëhet, për 1 minutë bëhet”, tha Konjufca.
Ai u shpreh se nuk do të ketë Asociacion sa të ketë kërcënime për Kosovën nga Serbia.
“Po Serbia po të thotë ki me pësu si Ukraina, 48 baza i ka rreth kufirit me Kosovën, më fal po kështu nuk ka Asociacion, nuk ka kështu, jo për besë nuk ka. Më vjen keq, por nuk ka.”, tha Konjufca.