Kryparlamentari Glauk Konjufca ka kujtuar komandantin Ilaz Kodren si njërin nga themeluesit e UÇK-së.
“Sot, në përvjetorin e pesedhjeteshtatë të lindjes, e kujtojmë me pietet të thellë luftëtarin e paepur të orëve të para të luftës sonë çlirimtare dhe njërin ndër themeluesit e UÇK-së, Heroin e Kosovës, komandantin Ilaz Kodra”, ka shkruar Konjufca.
Sipas tij, Komandanti i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” ra heroikisht në fushëbetejë më 30 prill 1999 në fshatin Shtuticë, duke e mbrojtur popullatën e trevave të Drenicës nga sulmet shfarosëse të forcave ushtarake dhe policore të regjimit gjenocidal të Serbisë.
“Vepra e lavdishme e Heroit të Kombit Ilaz Kodra na bashkon rreth idealeve të lirisë e atdhedashurisë dhe do të mbetet përherë shembull trimërie për ne dhe brezat e ardhshëm të popullit tonë. Kujtimi i heronjve, dëshmorëve dhe martirëve është i pavdekshëm. Vepra e tyre është e përjetshme”, ka shkruar Konjufca.