Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca bënë homahe te varri i Adem Demaçit, veprimtarit e intelektualit shqiptar që përmban një histori plot arrestime dhe tortura nga forcat serbe.
Pasi vendosën kurora lulesh te varri i Demaçit, Kurti dhe Konjufca u ndalën para gazetarëve. Aty, Konjufca ia dha fjalën Kurtit që të fliste i pari, pasi tha se ai “ka qenë bashkëpunëtori më i mirë” i Demaçit.
“Dile qenë se ke qenë bashkëpunëtori i tij më i mirë”, tha Konjufca.
Kurti e cilësoi njeri të jashtëzakonshëm dhe unik Adem Demaçin.
“Sigurisht që kemi pikëllim dhe mallëngjim që nuk e kemi më bacën Adem, por edhe kemi krenari e mirënjohje që e patëm dhe e njohëm, e që punuam dhe mësuam prej tij. Jeta dhe vepra e bacës Adem, idetë dhe udhëzimet e tij na mbushin me përgjegjësi dhe vetëbesim njëkohësisht”, tha kryeministri.
Ndërsa Konjufca e konsideroi Demaçin si figurën më të rëndësishme të popullit shqiptar në ish-Jugosllavi.
Kryeparlamentari tha se Demaçi “ka lënë gjurmë të pashlyeshme dhe ka vend të rëndësishëm në historinë tonë”.