Site icon PrishtinaPress

Konjufca dënon dhunën: Bandat kriminale serbe synojnë shkëputjen e pjesës veriore nga vendi ynë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar për situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, duke dënuar sulmet e protestuesve serbë ndaj pjesëtarëve të KFOR’it.

Ai ka vënë në pah prezencën e njerëzve të maskuar që u prezantuan në protestë, të cilët kishin simbole gjenocidale serbe.

“Dënoj ashpër dhunën e bandave të organizuara kriminale serbe ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në terren! Shpreh solidaritetin tim personal dhe institucional për 25 ushtarët e plagosur të misionit paqeruajtës dhe uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

”Pjesëmarrja e njerëzve të maskuar në atë që u prezantua si protestë, shpërfaqja e simbole të luftërave gjenocidale serbe dhe pushtimit rus në Ukrainë, sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave, përdorimi i mjeteve dhe dhunës së rëndë ndaj trupave të ruajtjes së rendit, tregojnë atë që tashmë dihej: synimin për ta mbajtur të shkëputur pjesën veriore të vendit tonë nga çdo prekje e ligjit dhe rendit që disponon Republika e Kosovës”, ka thënë ai.

Më tutje, Konjufca ka kërkuar nga ambasadat e vendeve mike që ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale.

”Ndërkohë, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje ambasadave të vendeve mike ta dënojnë ashpër dhunën e strukturave kriminale, të cilat haptazi janë të mbështetura nga presidenti serb, Aleksander Vuçiq dhe që synojnë destabilizimin e vendit tonë”.

“Gjithashtu, i bëj thirrje organeve kompetente të drejtësisë që të nisin hetimet ndaj atyre që i bënë këto akte të dhunshme ndaj trupave të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve të terrenit! Është koha që dhunës t’i përgjigjemi me një zë të përbashkët. Ajo nuk mund të tolerohet”, ka thënë Konjufca, të hënën.

Exit mobile version