Site icon PrishtinaPress

Konjufca: BE-ja u ngut me propozimin e statutit për Asociacion, rendi ishte që Kosova ta prezantonte një të tillë

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka folur për draft statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili u propozua së fundi nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Gazeta Sinjali.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Konjufca ka konsideruar se ky nuk është hapi më i mirë që ka bërë BE-ja, pasi sipas tij, s’i takonte ta propozojë një projekt-statut të tillë.

“Është e vërtetë që Kosovës i është dorëzuar një version i projekt-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk mendoj që ky ishte hapi më i mirë që ka bërë Bashkimi Evropian. Në të vërtetë, Bashkimit Evropian fare nuk i takonte që ta propozonte një projekt-statut të tillë. Rendi normal i gjërave është që Republika e Kosovës ta prezantonte një statut të tillë. Ky ka qenë edhe qëndrimi i qeverisë sonë, një qëndrim shumë i drejtë dhe parimor, të cilin unë e mbështes. Sa i përket Bashkimit Evropian, po mundohem ndoshta ta shpjegoj arsyen se janë ngutur me propozimin e një statuti të tillë”, ka thënë Konjufca.

Më tej kryekuvendari është shprehur se në asnjë dokument kredibil, në të cilin bazohet procesi i dialogut, nuk thuhet që propozimi i statutit të Asociacionit është kompetencë e BE-së.

“Kjo ka të bëjë kryesisht me faktin që procesi ndoshta ngeci. Marrëveshja e Ohrit nuk u nënshkrua nga ana e Serbisë. Pastaj ndodhi sulmi terrorist dhe akti i agresionit të Serbisë mbi Kosovën, në fshatin Banjskë më 24 shtator. Pastaj bashkësia ndërkombëtare e kuptoi që ndoshta kjo për një periudhë mjaft të gjatë do ta bllokojë procesin politik dhe procesin e dialogut me Serbinë. Pikërisht për këtë arsye janë ngutur që ta propozojnë një statut, duke ia marrë një kompetencë vetë Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës. Kjo nuk i takon Bashkimit Evropian. Askund, në asnjë dokument kredibil, në të cilin bazohet edhe krejt procesi i negociatave, nuk thuhet që propozimi i statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe është kompetencë e Bashkimit Evropian”, ka thënë kryetari Konjufca.

Ky draft-statut iu prezantua Kosovës dhe Serbisë më 21 tetor nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE), Shteteve të Bashkuara (SHBA), Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Më pas, dy palët deklaruan se dokumenti ishte “i pranueshëm” për to, por hollësitë rreth përmbajtjes së tij nuk janë bërë të ditura ende.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e kanë arsyetuar ruajtjen e fshehtësisë së përmbajtjes së këtij dokumenti duke thënë se një gjë e tillë u është kërkuar nga pesë emisarët perëndimorë.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë. Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Exit mobile version