Shtetet e Bashkuara kanë shpallur sanksione kundër 21 personave dhe nëntë kompanive që kanë lidhje me konfliktin e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës.
Kjo është përpjekja e fundit e Uashingtonit për të bërë presion mbi grupet e përfshira në mënyrë aktive në konfliktin katërvjeçar.
Sanksionet janë shpallur të premten nga Departamenti amerikan i Thesarit.
Qysh në vitin 2014, kur Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë dhe kur ka nisur konflikti në lindje të Ukrainës midis forcave qeveritare dhe separatistëve pro-rusë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar disa njerëz dhe kompani në Rusi, ashtu si dhe liderë separatistë, duke iu ngrirë asetet dhe duke iu ndaluar udhëtimin.
Në rrethin e fundit të sanksoneve, Departamenti i Thesarit goditi 11 njerëz të identifikuar si zyrtarë të lartë separatistë në Ukrainën lindore.
“Ky veprim nënvizon kundërshtimin e Qeverisë së SHBA-së ndaj okupimit rus të Krimesë dhe refuzimin e fuqishëm për të njohur aneksimin e gadishullit,” tha përmes një deklarate Departamenti amerikan i Thesarit.
Sanksionet po ashtu godasin disa zyrtarë rusë, përfshirë zëvendësin e ministrit të Energjisë Andrei Cherezov.