Site icon PrishtinaPress

Konflikt në komunikacion: 60-vjeçari kërcënon me armë një person në Prishtinë, dërgohet në mbajtje

Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë.

Një rast i tillë ka ndodhur dje në fshatin Tenezhdoll në Prishtinë, ku një person dyshohet se ka kërcënuar me armë një tjetër.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 49-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka rrëfyer në detaje gjithë ngjarjen që ka ndodhur.

Bazuar në dëshminë e tij, derisa ka qenë duke lëvizur me veturë, ka hasur në të dyshuarin të cilit fillimisht ia ka lëshuar rrugën. Sipas tij, 60-vjeçari e ka goditur në një pjesë të veturës dhe më pas e ka kërcënuar me armë.

Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në koordinim me Prokurorinë kanë bastisur edhe lokalin ku punon i dyshuari, mirëpo s’kanë gjetur asgjë të dyshimtë.

60-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.

Exit mobile version