Policia e Kosovës bashkë me Prokurorinë Themelore të Prishtinës kanë mbajtur një konferencë për media, për të njoftuar për konfiskimin e 75 kg substancë narkotike që dyshohet se është e llojit marihuanë dhe arrestimin e pesë të dyshuarve. Droga dyshohet se ka hyrë në Kosovë nga vendet fqinje dhe ishte e destinuar për në vendet e BE-së, raporton Gazeta Express.
Arrestimi i katër personave është bërë dje, ndërsa personi i pestë i dyshuar është arrestuar sot. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit ndodhen në ndalim.
Në konferencë u tha se janë sekuestruar, vetura, telefona dhe para të gatshme.
Reshat Murselaj, nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Policinë e Kosovës tha se hetimet për këtë rast kanë nisur katër muaj më parë.
“Personi me inicialet M.S., është ndaluar dje në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, por, është nisur me vrull duke rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë, gjatë rrugës ka aksidentuar pjesëmarrës dhe vetura tjera në komunikacion. Në ndjekje policia ka arritur ta arrestojë M.S., 55 vjec, në Dobërlluk të Vushtrrisë pasi kishte lënë veturën dhe kishte tentuar të ikte në këmbë. Ka sulmuar fizikisht policët, vë veturë janë gjetur paketime 18 copë marihuanë, 20 kg, në bagazhin e veturës, që janë konfiskuar”, tha ai, transmeton Express.
Të njëjtit i është bastisur shtëpia në Mitrovicë, por nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
“Më pas në Bardhosh te personi me inicialet V.B., në lokalet e shtëpisë së tij policia ka gjetur 50 paketime të mbushura me marihuanë, pas matjes ka rezultuar se janë 55 kg….Janë gjetur 193 fishekë, vetura, 6 telefona, 1600 euro para dhe dinarë të Serbisë”, tha Murselaj.
Më pas janë arrestuar edhe tre persona tjerë, në mesin e tyre ka edhe persona me nënshtetësi serbe.
Operacioni ka ardhë si rezultat i bashkëpunimit të qytetarëve me prokurorinë.
Andaj i është bërë thirrje qytetarëve që të njoftojnë prokurorinë për dukurtitë kriminale.