Site icon PrishtinaPress

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, Krasniqi: Rroga e vogël e fitimi i madh duhet të marrë fund

Analisti politik, Albert Krasniqi ka reaguar sot lidhur me çështjen e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme, ndërsa theksoi se kjo duhet të bëhet për të vendosur drejtësi dhe barazi, ndërkaq rroga e vogël e fitimi i madh duhet të marrë fund.

Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se me iniciativën e Qeverisë për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, amnistohen të gjithë ata që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme.

Lexoni të plotë postimin e Krasniqit:

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme duhet të bëhet për të vendosur drejtësi e sjellë barazi. Rroga e vogël e fitimi i madh, duhet të marrë fund!

Por me iniciativën e Qeverisë për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, amnistohen të gjithë ata që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme:

– Në pesë vitet e para të procesit të privatizimit (2003-2008);

– Para shpalljes së pavarësisë në 2008;

– Që nuk kanë ushtruar funksionin publik që 10 vite.

Përveç këtyre, ligji i propozuar është edhe në kundërshtim me Kushtetutën.

– E para, shkel liritë dhe të drejtat themelore, respektivisht parimin e prezumimit të pafajësisë. Me këtë ligj, pala është e fajshme derisa nuk të provohet ndryshe.

– E dyta, cenon parimin e ndarjes së pushteteve, pasi i atribuon administratës kompetencat e prokurorisë. Pushteti legjislativi ndërhynë në punën e pushtetit gjyqësor.

– E treta, Kuvendi tejkalon kompetencat e veta, pasi Byrosë i jep statusin e institucionit të pavarur. Kushtetuta ka përcaktuar institucionet e pavarura dhe funksionet e tyre, kurse përmes ligjit Kuvendit i ka mundësuar vetëm themelimin e agjencive të pavarura.

Nëse këto shkelje janë bërë nga mosdija, edhe mund të falen. Por nuk mund të falen nëse janë bërë me qëllim sa për të nxitur kundërshtimin e opozitës, për ta fajësuar pastaj se është kundër konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Kjo iniciative nuk guxon të shpërdorohet, vetëm sa për qëllim të ndërtimit të strategjisë së fushatës së ardhshme zgjedhore.

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme duhet të jetë proces serioz, i menduar mirë, i pa kompromis dhe që nuk amniston askënd! Jo një mekanizëm i partisë/koalicionit në pushtet për të përndjekur opozitën përmes një Drejtori që e zgjedh me votim të hapur dhe e shkarkon sa herë të dojë.

Exit mobile version