Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda, e ka quajtur të turpshme dhe të papranueshme konferencën që sot e ka mbajtur Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje për rastine Astrit Deharit.
Në një postim në Facebook, ai ka thënë se për gjatë tri vjetëve të qeverisjes nga LVV-ja, sipas tij, asgjë nuk është bërë për rastin e Astrit Deharit.
“Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre vjet në pushtet, gjatë të cilëve nuk është bërë asgjë për të zbardhur rastin Dehari, përkundrazi Instituti i Mjekësisë Ligjore është djegur dy herë, sot LVV vendosi të organizojë një konferencë për media para Prokurorisë Speciale, duke kërkuar drejtësi për Astrit Deharin”.
“A është kjo drejtësia që keni premtuar qytetarëve të Kosovës dhe familjes Dehari? Kjo është e papranueshme dhe e turpshme”, ka thënë Gruda.