Në kryesimin e Drejtorit Ezkekutiv të Këshillit të Investitorëve Evropianë, Shpend Balija, u mbajt takimi i rregullt i Zyrës së Komunitetit te Biznesit (ZKB) pran Kuvendit të Kosovës me qëllim të diskutimit rreth politikave fiskale të cilat kanë ndikim në përmirësimin e ambientit biznesor në Kosovë.
Anëtarët e Zyrës së Komunitetit të Biznesit diskutuan lidhur me nevojën e kompletimit të pakos fiskale, e cila tashmë është diskutuar me shumicën e asociacioneve të biznesit, si dhe lidhur me nevojën e pasqyrimit brenda pakos të kërkesave të komunitetit të biznesit në mënyrë që impakti i saj të jetë sa më pozitiv dhe gjithpërfshirës.
Asociacionet e biznesit, anëtare të Zyrës së Komunitetit të Biznesit kërkuan që krahas shtatë elementeve të propozuara nga ana e Ministrisë së Financave, të përfshihet edhe kërkesa e kompanive të sigurimeve për mosdiskriminim në aspektin e pagesë së tatimeve, duke pasur parasysh që të njejtat momentalisht paguajnë tatime në vlerë prej 5% mbi qarkullim, derisa norma e tatimit në fitim për të gjitha bizneset e tjera në Kosovë është 10% në fitimet e tyre.
Zyra e Komunitetit të Biznesit mori vendim poashtu që nga Ministria e Financave, respektivisht Qeveria e vendit, të kërkojë një afat kohor brenda të cilit pritet të hyjnë në fuqi elementet e pakos së re fiskale, duke pasur parasysh që tashmë ka pasur diskutim të mjaftueshëm me të gjitha palët e interesit për sa i përket lëndëve të para të cilat duhet të lirohen nga detyrime doganore, por edhe lehtësirave të tjera fiskale që pritet të prezantohen pas hyrjes në fuqi të pakos fiskale.
Në këtë takim u diskutua edhe për arsyeshmërinë e rikthimit të bordit të pavarur për shqyrtimin e ankesave duke u pajtuar se ky bord ka pasur një rol të rëndësishëm në të kaluarën dhe si i tillë ai duhet të rifunksionalizohet në periudhë sa më të shpejtë.