Pas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, komuna e Ferizajt, përkatësisht kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu sot ka pranuar vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj që komunës t’i kthehen pronat e menaxhuara deri më tani nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në pronësi komunale në një sipërfaqe të përgjithshme prej 334 hektarë e 41 ari e 46m2.
Ky vendim vjen pas kërkesës së parashtruar nga i pari i Ferizajt, Agim Aliu që Ferizaj t’i kthehen pronat e menaxhuara deri më tani nga AKP në prona komunale, me qëllim të nxitjes së zhvillimit ekonomik lokal dhe aplikimit të projekteve të ndryshme zhvillimore për Ferizajn gjithmonë në interesin publik.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, citohet të ketë falënderua kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe gjithë Qeverinë e Republikës së Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme me projekte të ndryshme, e veçanërisht për vendimin e fundit, këtë të kthimit në pronësi komunale të pronave të menaxhuara deri më tani nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, që i shton aseteve komunale, pasurisë komunale vlerë të jashtëzakonshme dhe inkurajon nisma zhvillimore në gjithë territorin e Ferizajt.