2.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Komunat kërkojnë të mos ndryshohen faturat e tatimit në pronë

Kur kanë mbetur edhe pak ditë deri në afatin e fundit për pagesën e këstit të parë të tatimit vjetor në pronë, komunat po insistojnë që vlera e faturave të mos ndryshohet. Ndonëse Projektligji për tatimin në pronë është në procedurë në Kuvendin e Kosovës, nga Asociacioni i Komunave po kërkojnë që paraprakisht të konsultohen edhe komunat.

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, duke dhënë pikëpamjen e komunave për vendimin e Qeverisë së Kosovës thotë se faturat nuk duhet të ndryshojnë fare. Derisa kur flitet për falje të borxhit, ai thotë se për këtë vendim duhet të konsultohen komunat.

“Kryetarët e komunave kanë kërkuar që çdo gjë sa i përket tatimit në pronë të kthehet në pikën zero, pra, që të mos kemi ngritje të faturave të tatimit në pronë, për shkak situatës ekonomike sociale. Situata ekonomike sociale po shihet se nuk është duke ndryshuar për të mirë, dhe për këtë arsyeje edhe neve si Asociacion insistojmë që faturat e tatimit në pronë të mos ndryshohen, vlera e tyre të jetë e njëjtë me vitin 2022… Dhe sa i përket pagesës së tatimit në pronë me faturat e reja të cilat janë dërguar këtë vit në bazë të informatave që kemi nga drejtorët komunal të financave, qytetarët nuk kanë shprehur gatishmëri maksimale që ta paguajnë tatimin në pronë, sepse janë në pritje se çfarë do të ndodhë në ditët apo muajt në vijim”, thotë Ibrahimi.

Madje, sipas tij, faturat e tatimit në pronë në vitin 2025 do të jenë edhe më të larta.

“Neve si Asociacion e kemi analizuar këtë dokument dhe në bazë të konsultimeve që kemi pasur, të brendshme me drejtorët financiarë, del se tatimi në pronë nuk do të zvogëlohet, vlera apo faturat nuk do të zvogëlohen në krahasim me këtë vit. Ky projekt-dokument i cili është miratuar në qeveri synon që të fillojë të zbatohet në vitin 2025, dhe nëse i krahasojmë faturat të cilat janë dërguar në vitin 2023 dhe se çfarë synon qeveria në vitin 2025 në bazë të analizave tona del se faturat do të jenë pothuajse të ngjashme, në disa raste ka mundësi edhe rritje të faturave”, thekson Ibrahimi.

Pas iniciativës së Qeverisë për faljen e tatimit në pronë, Ibrahimi thotë se duhet të merret parasysh edhe vendimi i Kuvendit Komunal.

“Me ligjin aktual, qytetarët janë të obliguar që këstin e parë të faturës së tatimit në pronë ta paguajnë deri në fund të muajit prill, nëse nuk e bëjnë pagesën e këstit parë të faturës për 2023 deri në fund të prillit, me ligjin aktual parashihen gjobat dhe kamatat. Për këtë arsyeje është mirë që qytetarët të informohen me kohë nga niveli qendror se kur procedohet ky ndryshim, sepse edhe nëse me këtë plotësim ndryshim komunat obligohen që të ndërmarrin hapa që t’i falin nga 100 euro, atëherë duhet të ndërmerret parasysh vendimi i Kuvendit Komunal, sepse kryetarët nuk mund të vendosin për falje, dhe duhet të ftohen takimet nga Kuvendi Komunal që të merren këto vendime”, thotë mes tjerash Ibrahimi.

Për kryetarin e komunës së Rahovecit, Smajl Latifin, rritja e çmimit të tatimit në pronë është në dëm të qytetarëve.

“Unë nuk jam ithtar i disa ideve që do ta prekte shumë keq nëse deri 100 euro do mundeshe më ja falë. Kuvendeve dhe Komunave nuk falet tatim në pronë, falen taksat e të tjerat, tatimi në pronë është obligative sepse dhe ligji nuk e lejon. Në qoftë se shkohet me falje, atëherë 85 deri në 90 për qind e qytetarëve nuk paguajnë hiç, sepse nuk kanë arsyeje të paguajnë se nuk ju bie të paguajnë. Atëherë na tregoni, a ia vëmë drynin komunave tona që nuk ka më, taksa kryesore dhe e hyra kryesore është tatimi në pronë. Shfuqizohet ky vendim ose shtyhet për një kohë, apo adresohet një ndryshim plotësimi në Kuvendin e Kosovës i ligjit për tatimin në pronë, ndryshe un nuk jam për falje. Ne nuk jemi të gatshëm të ia vëmë drynat komunës, ftojmë qeverinë të reflektojë”, tha Latifi.

Nderkaq, Besart Selimi nga kabineti i kryetarit të Komunës së Gjilanit, e thotë të kundërtën. Sipas tij, qytetarët në këtë komunë, pavarësisht rritjes së tatimit në pronë po vazhdojnë t’i paguajnë faturat.

“Qytetarët kanë vazhduar njësoj të bëjnë pagesat sipas faturave të reja të tatimit në pronë. Ne si komunë, presim nga qeveria e republikës së Kosovës, që pas miratimit të vendimit në qeveri, ta procedojë dhe të votohet nga Kuvendi i Kosovës, në mënyrë që pastaj të ndajë dhe transferoj buxhetin e llogaritur si rezultat i faljes së faturave të tatimpaguesve deri në vlerën 100 euro. Qytetarët të cilët kanë kryer pagesat e faturave të këtij viti, do të kompensohen, zbriten në faturat e vitit 2024”, thuhet nga Kabineti i Kryetarit të Komunës së Gjilanit.

Se rritja e kësaj takse komunale do të shkaktojë dëme thonë edhe në Iniciatën për Progres (INPO).

Monitoruesi në INPO, Valmir Ilazi derisa thotë se nuk e mbështesin këtë vendim, thotë se i njëjti do të shkaktojë dëme në ekonominë familjare.

Sipas tij, më të dëmtuarit në këtë mes janë qytetarët.

“Sa i përket tatimeve në pronë është kompetence ekskluzive e komunave, pra, komunat i mbledhin ato por nuk do të thotë që edhe falja e tatimit në pronë mund t’i dëmtojë, kryesisht mund të vërehet një dëmtim i vogël tek komunat, por, nuk do të vërehet një dëmtim i vogël tek qytetarët…Pra, rritja e kësaj takse komunale të pronës, ekskluzivisht do të shkaktojë dëme në ekonominë familjare. Pra, ne nuk e mbështesim idenë të rritet tatimi në pronë pa u njoftuar paraprakisht edhe qytetarët, pasi siç duket kanë qenë nën një hije”, tha Ilazi.

Deri në fund të muajit prill, qytetarët e Kosovës duhet të bëjnë pagesën e këstit të parë të tatimit vjetor në pronë, në të kundërtën do të gjobiten. Ndërsa afati për këstin e dytë të pagesës është fundi i muajit shtator.

Nëse pagesa nuk bëhet në kohë, do të aplikohet një interes prej 0.65 për qind për secilin muaj që vonohet pagesa dhe një gjobë prej 10 për qind të tatimit të papaguar./PrishtinaPress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img