Site icon PrishtinaPress

Komunat kërkojnë rimbursimin e mjeteve nga niveli qendror nga falja e 100 eurove prej Tatimit në Pronë

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të mundësojnë faljen e nga 100 eurove të tatimit në pronë për qytetarët.

Projekligji ka kaluar në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

Për këtë Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Kuvendi ta vazhdojnë këtë proces.

Më poshtë letra e Asociacionit të Komunave të Kosovës drejtuar Kuvendit

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar Nënkryetarë të Kuvendit,

Të nderuar Shefa të Grupeve Parlamentare,

Siç dihet tashmë në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës ka kaluar Projekt Ligji për plotësim ndryshimin e Tatimit në Pronë me anë të së cilit është propozuar edhe falja e 100 eurove të para nga tatimi në pronë i qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Poashtu ju informojmë se as si Komuna e as si Asociacion i Komunave të Kosovës nuk jemi konsultuar për këtë propozim dhe as për ndikimet që do ti ketë ky Ligj në buxhetet komunale dhe realizimin e projekteve të tyre kapitale.

Edhe me këtë rast, nuk janë marrë fare parasysh specifikat e Komunave e ku kjo do të afektoj sidomos komunat e vogla kur të hyrë kryesore kanë të hyrat vetanake nga tatimi në pronë.

Me këtë projektligj, niveli qendror tash do t’i detyrojë komunat të marrin vendime për faljen e 100 eurove të para e sidomos tashmë pasi janë shpërndarë faturat e tatimit në pronë dhe në anën tjetër janë aprovuar buxhetet komunale me projeksionin e të hyrave pa falje dhe mbi bazën e këtij projeksioni buxhetor është paraparë edhe realizimi i projekteve kapitale.

Nga analizat tona mund të konkludohet se nga një veprim i tillë komunat mund t’i kenë për 40% më të ulta të hyrat vetanake për vitin 2023 sesa është paraparë nga projekcionet buxhetore.

Duke ditur këto, Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës kërkon nga Ju që me Projektligjin për Tatimin në pronë, krahas faljes se 100 eurove të vendoset që rimbursimin e kësaj shume ta mbuloj niveli qendror në mënyrë që të mos varfërohen Komunat e Kosovës dhe të mos ketë ndikimin në realizimin e projekteve kapitale të parapara me buxhetet komunale të këtij viti.

Jemi në dispozicionin Tuaj të debatojmë këto çështje dhe propozimin tonë si pushtet lokal që do të zbatoj këtë akt ligjor dhe do të ndikohet nga efektet e tij.

Të nderuar anëtar të Kryesisë së Kuvendit,

Shpresojmë që kjo do të jetë hera e fundit që komunat nuk konsultohen për ligje të cilat kanë një impakt të drejpërdrejtë në funksionimin e pushtetit lokal në Republikën e Kosovës./PrishtinaPress/

 

Exit mobile version