Kryetarët e komunave të Kosovës po kërkojnë nga niveli qendror që orari i kufizimit të lëvizjes së qytetarëve, të jetë “uniformë” për të gjitha komunat. Kjo me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Kështu u tha pas mbledhjes që zgjati rreth dy orë të Këshillit të Kryetarëve të Komunave të Kosovës që u mbajt në Drenas, me qëllim të diskutimit të situatës në të gjitha komunat sa i përket parandalimit të përhapjes së coronavirusit dhe nevojës së bashkëpunimit me nivelin qendror.
Pas kësaj, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Xhafer Gashi tha se në këtë takim konsultativ me 20 kryetarët e komunave kanë kërkuar që ora policore të jetë “uniformë” në gjitha komunat.
“Pati zëra që ka mungesë të pajisjeve. Por pati edhe të atillë që janë mirë të pajisur. Ne rekomandojmë që në të ardhmen Ministria e Shëndetësisë të ofrojë mundësi më shumë, sidomos për ato komuna që kanë nevojë. Më pastaj kërkuan që të rritet mundësia e testeve, që të kenë mundësi të informacioneve më shumë, rreth zhvillimit të kësaj pandemie… Rreth çështjes së kohës së ndalesës të qarkullimit, kjo ishte kërkesë e kryetarëve që të jetë uniformë për të gjithë. Se nëse ka një komunë ndalesë e tjetra jo, mund të bartet infeksioni prapë”, tha Gashi.
Ndër të tjera, në këtë mbledhje kryetari i Obiliqit, në emër të kryetarëve të komunave që sot ishin prezent në këtë mbledhje, tha se u kërkua mbështetje e qendrave të Mjekësisë Familjare nga niveli qendror.
“QKMF-të të jenë të mbështetura me subvencionim sepse jo vetëm mjekët e infermierët janë në frontin e parë të pandemisë por edhe shoferët dhe pjesa e logjistikës dhe mirëmbajtjes së pastrimet të atyre zonave. Shpresojmë që ta kalojmë sa më shpejt. Që të gjithë qytetarët kudo që janë po mundohen me përpikëri të zbatojnë vendimet dhe rekomandimet”, shtoi Gashi.
Para përfundimit të kësaj mbledhje, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri është parë të dalë i “nervozuar” nga aty. Për këtë, Gashi tha se ka pasur mospajtime që të ketë një ndalesë “uniformë” të të gjitha komunave, njofton kp.