Komuna e Prishtinës ka lajmëruar sot qytetarët e Kosovës që të shfrytëzojnë më tepër transportin publik të cilën tashmë po vërehen dukshëm përmirësimet e para në këtë aspekt.
Komunikata e Komunës së Prishtinës:
Ndërmarrja Trafiku Urban, nga një ndërmarrje pranë falimentimit, me borxhe të thella jo vetëm ndaj punëtorëve, për tri vite qeverisje është rikthyer në ndërmarrje të suksesshme që iu shërben qytetarëve.
Në linjat 4 dhe 1 janë sistemuar 30 autobusët e rinj, dhe sapo të vinë edhe 21 të tjerë do të mbulohet edhe linja 3. Tashmë, kualiteti i shërbimeve është rritur, me ç’rast transporti publik po bëhet tërheqës për qytetarët.
Duke iu falënderuar të gjithë qytetarëve për ndihmën që kanë dhënë dhe po japin për zhvillime të tilla pozitive në Prishtinë, iu bëjmë thirrje që të heqin dorë nga transporti ilegal, ashtu që ta fuqizojmë edhe më shumë, edhe më shpejtë, ndërmarrjen tonë publike.
Me Drejtorinë e Inspekcionit jemi vazhdimisht në terren duke krijuar kushte për punë të mëtutjeshme të Trafikut Urban, dhe do të ndërmarrim masa ndaj çdo operatori ilegal që e hasim, si dhe ndaj qytetarëve që shfrytëzojnë operatorët e tillë.