Kompania “Infratek” N.T.Sh., e përfshirë në një aferë ryshfeti vitin e kaluar, është shpërblyer me kontratë të prokurimit publik nga Komuna e Prishtinës.
“Infratek” N.T.Sh., në pronësi të Florije Jahajt, ka fituar tender në vlerë 218 mijë euro për hartimin e një zgjidhjeje “urb-arkitektonike të ndërlidhjes së lagjes ‘Kalabria’ me lagjen ‘Dardania’”.
Përzgjedhja e kompanisë fituese është bërë të premten e kaluar, më 20 janar, raporton Paparaci.
Njoftimi për përzgjedhjen e fituesit për tenderin “Hartimi i Zgjidhjes urb-arkitektonike e ndërlidhjes së lagjes Kalabria”me lagjen Dardania’” është publikuar sot në platformën e-prokurimi.
Oferta e kompanisë “Infratek” është shpallur më e përgjegjshmja me çmimin më të lirë nga katër tenderë në garë. Në mesin e katër ofertave, ajo e “Infratek” ishte e dyta me çmimin më të shtrenjtë, por dy ofertat e tjera më të lira janë vlerësuar si “të papërgjegjshme” në raport me Dosjen e Tenderit.
“Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar 218,429.80 euro dhe në pajtim me afatet dhe kushtet e dosjes së tenderit”, thuhet në njoftim.
Ky projekt i Komunës së Prishtinës synon krijimin e lidhjeve me rrugët lidhëse për automjete, për këmbësorë dhe çiklistë, ndërmjet lagjeve ‘Dardania’ dhe ‘Kalabria’.
Siç kanë raportuar mediat vitin e kaluar, kompania “Infratek” N.T.Sh. është implikuar në një aferë korruptive me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, të udhëhequr nga Liburn Aliu.
Sipas këtij raportimi, të bazuar në audio-inçizime, dyshohen se janë të përfshirë edhe të afërmit e këshilltarit të ministrit Aliut, Florent Ramqaj.
Kompania “Infratek”, në të cilën kishte punuar këshilltari i ministrit Aliut, Florent Ramqaj, është pronë e dajës së tij, Halil Jahaj. Person i autorizuar i kompanisë, sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), është Florije Jahaj, një familjare e Halil Jahajt.
Sipas incizimit të publikuar nga Nacionale, një përfaqësues i kompanisë “Infratek” kërkonte ryshfet nga një përfaqësues i një biznesi privat për dorëzimin e një raporti në Ministrinë e Infrastrukturës për punët e kryera rreth punimeve të kryera në rrugën Gjakovë-Dollc.
Kompania e Jahajt kishte për detyrë që të shkruante raporte për punët e kryera nga kompanitë e caktuara për punimet në rrugën Gjakovë-Dollc. Dhe, në vend se të kryente punën siç e parasheh ligji, përfaqësuesi i kompanisë ‘Infratek’ dëgjohej duke keqpërdorur detyrën zyrtare për të marrë përfitime financiare.
Për këtë rast, në qershor të vitit të kaluar, Prokuroria e Shtetit kishte njoftuar nisjen e hetimeve për rastin e dyshuar korruptiv.
“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se ka filluar procedurën e verifikimit dhe hetimit për të gjitha shkrimet e publikuara ditëve të fundit në media lidhur me rastet e dyshuara për korrupsion”, thuhej në një njoftim të Prokurorisë së Shtetit.
Prokuroria e Shtetit nuk ka njoftuar ende rezultatin eventual të procedurës hetimore të ndërmarrë lidhur me rastin e kompanisë “Infratek”.