Ka 18 vjet që shërben si punëtor teknik në Shkollën “Hoxhë Kadri Prishtina”, mirëpo probleme me pagën nuk pati deri në shkurtin e këtij viti.
Fehim Bislimi tash e tre muaj nuk është paguar fare për punën e tij në këtë shkollë, ani pse ai posedon kontratë valide të nënshkruar me Komunën e Prishtinës, raporton Klan Kosova.
E gjitha, sipas tij, ndodhi për shkak të një pilotprojekti që e kishte nisur qeverisja e kaluar komunale për të kontraktuar kompani private për pastrimin e shkollave të kryeqytetit.
Me skadimin e kontratës me këto kompani në dhjetor të 2022-ës, dhjetëra punëtorë shkuan në shtëpi, e dhjetëra të tjerë të cilët më parë kishin pasur kontrata me komunën, vazhduan punën e tyre.
Kontratat e reja me Komunën e Prishtinës, ata i nënshkruan në shkurt të këtij viti, megjithatë për tre muaj, pagat nuk u ekzekutuan në llogaritë e tyre bankare.
Bislimi po ashtu ankohet se për shkak të reduktimit të stafit që erdhi si pasojë e mosvazhdimit të kontratës me kompaninë private, atyre u është shtuar vëllimi i punës.
Shqetësim tjetër për të mbetet edhe diferenca e madhe mes pagës së tij dhe kolegëve të tij të cilët e kryejnë të njëjtën punë.
Lidhur me këto çështje, Kiks Kosova ka kontaktuar me Komunën e Prishtinës, mirëpo përgjigjja e vetme që erdhi nga ky institucion ka të bëjë me mosekzekutimin e pagave.
Sipas tyre, kjo vonesë ka ndodhur për shkaqe procedurale, mirëpo premtojnë se pagat do të ekzekutohen së shpejti.
“Në lidhje me secilin punëtor teknik të shkollave që Komuna e Prishtinës themelon marrëdhënie pune për herë të parë me ta, procedurat fillestare janë të tilla që në fillim merr kohë procesimi i kërkesës për pagesë në Thesar nga Drejtoria e Financave, gjithsesi pagat do të ekzekutohen shumë shpejt sipas kontratave”, thuhet në përgjigjen e komunës.