Komuna e Prishtinës është duke shpërndarë gjoba për të gjitha lokalet që po bëjnë ndotje akustike, duke tejkaluar decibelët e lejuar të muzikës.
I pari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka njoftuar se tetë lokale janë gjobitur për këtë gjë, teksa 21 gjoba janë shqiptuar për tejkalim të orarit të punës.
Rama thotë se pesë gjoba janë në shumën prej 1000 eurosh për tejkalim të decibelëve, tri gjoba janë ndarë në shumën prej 2000 eurosh për tejkalim të decibelëve të lejuar për herë të dytë.
21 lokale janë gjobitur ndërkaq, për tejkalim të orarit të punës.
Gjoba e tyre është në shumën prej 500 eurosh.
“Ne të gjithë e dimë që qetësia dhe komoditeti në shtëpitë tona janë thelbësore. Dhe për të siguruar që të jetojmë në një mjedis të qetë dhe pa stres, rregullorja është e qartë: Ndotësit akustikë do të ndëshkohen!” ka thënë mes të tjerash Rama.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Kujdesi ndaj mjedisit dhe qetësisë sonë është në duar të të gjithëve.
Inspektorati i Kryeqytetit po ndërmerr masa për të luftuar ndotjen akustike dhe për të mbrojtur cilësinë e jetës sonë të përditshme.
Kemi shpërndarë 8 gjoba për pronarët e lokaleve të cilët nuk kanë respektuar decibelët e lejuar të muzikës dhe 21 gjoba për tejkalim të orarit të punës.
Si rezultat, janë shqiptuar:
– 13 Vërejtje për tejkalim të decibelëve të lejuar
– 5 Gjoba në shumën prej 1000 eurove për tejkalim të decibelëve të lejuar, pas vërejtjeve që kanë pranuar fillimisht
– 3 Gjoba në shumën prej 2000 eurove për tejkalim të decibelëve të lejuar, për herë të dytë, dhe
– 21 Gjoba për tejkalim të orarit të punës në shumën prej 500 eurove.
Ju lutemi të gjithëve, të jeni të kujdesshëm në lidhje me aktivitetet që prodhojnë ndotje akustike, si muzika e lartë, pajisjet e zhurmshme, ose aktivitetet të tjera që mund të pengojnë qetësinë publike.
Ne të gjithë e dimë që qetësia dhe komoditeti në shtëpitë tona janë thelbësore. Dhe për të siguruar që të jetojmë në një mjedis të qetë dhe pa stres, rregullorja është e qartë: Ndotësit akustikë do të ndëshkohen!