Portieri i Burnleyt, Arijanet Muriq, nuk do të jetë pjesë e Burnleyt për duelin e xhiros së ardhshme të Premier Leagues kundër Arsenalit, ka bërë të ditur trajneri Vincent Kompany.
Portieri i Kosovës pritet të marrë ftesë nga përzgjedhësi Primozh Gliha, për duelin e shtyrë kualifikues për “Euro 2024”, kundër Izraelit.
Ndeshja Kosova – Izraeli do të zhvillohet më 12 nëntor, një ditë pas udhëtimit të Burnleyt në “Emirates Stadium”.
“Ka pasur shumë pushime për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve. Në 12 muajt e fundit jemi mësuar me këtë situatë për shkak të Kupës së Botës në dimër, dhe për shkak të tri-katër pushimeve para vitit të ri për shkak të ndeshjeve të përfaqësueseve. Ndeshja Kosova-Izraeli do të luhet menjëherë pas ndeshjes sonë kundër Arsenalit, dhe nuk do ta kemi Aro Muriqin të gatshëm për atë lojë”, ka thënë trajneri Kompany.
Muriq në Premier League ka qenë portier i dytë, pas James Traffordit, dhe nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje.
Megjithatë, ka luajtur në “Carabao Cup”. Pati paraqitje të mirë, pavarësisht se Burnley humbi 3:0 nga Evertoni.