Nuk janë vetëm bizneset vendore që nuk i paguajnë tatim shtetit. Të rregullta në tatime del se nuk janë as kompanitë e huaja që veprojnë në Kosovë. Borxhi i tyre ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) ka arritur në 3 milionë e 827 mijë euro.
Megjithatë kjo është shumë më pak krahasuar me borxhin nga bizneset vendore. Prej 90 mijë bizneseve, sa mendohet se janë të regjistruara në Kosovë, gati gjysma e tyre nuk ia paguajnë tatimet shtetit.
Sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në total borxhi i bizneseve ndaj shtetit, duke përfshirë ato vendore e të huaja, ka arritur mbi 218 milionë euro, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
“Borxhi i të gjitha bizneseve që kanë ndaj ATK-së është 218,490,944.87 euro. Borxhi i bizneseve të huaja të cilat veprojnë në Kosovë është 3,827,564.05 euro, kurse bizneset private kanë borxhe prej 214,663,380.82 eurosh”, kanë thënë për gazetën nga Zyra për Informim në ATK.
Sipas tyre, numri i bizneseve që kanë borxh ndaj ATK-së ka arritur në 31 mijë e 571 biznese.