Të njëjtit, këtë kompani po e akuzojnë se ua shkëputi pa ndonjë arsye ose paralajmërim kontratat e punës, raporton lajmi.net.
Njëri nga punëtorët të cilit iu shkëput kontrata, Esat Demaj, për lajmi.net rrëfen se askush nga kompania “Elkos” nuk i ka kontaktuar deri në ditën e shkëputjes së saj.
Ai thotë se rreth 50 persona janë solidarizuar me punëtorët që u janë shkëputur kontratat, ngase të njëjtit janë të pakënaqur me stafin menaxhues.
“Ata mund të thonë edhe 300 herë që kanë dërgu vërejtje, mirëpo deri në ditën e fundit nuk kanë treguar. Numri i punëtorëve që u janë shkëputur kontratat janë 8 mirëpo edhe 50 të tjerë janë solidarizuar me ne për shkak të pakënaqësisë së stafit menaxhues. Në mesin e këtyre 8 personave është edhe njeri ka qenë në pushim vjetor dhe i është shkëputur kontrata. Për 16 vite të gjithë kemi qenë punëtorë shumë të mirë”, rrëfen Demaj.
Demaj, që thotë se është punëtor i kompanisë “Elkos” që 18 vite, thotë se kontratat u shkëputen në praninë e policisë.
Sipas tij, nuk dihet as kush dha urdhër që Policia të jetë prezente aty.
“Të hënën në mëngjes pa asnjë paralajmërim stafi menaxhues ka dal dhe ka thanë se vetëm unë i vdekur mundeni me hi brenda, dhe asnjë s’e kanë lënë me hi me ose pa vendim. Ka vazhdu me i shkëput kontratat me polici, gjithmonë kanë qenë edhe policia këtu, dhe me asnjë dokument”, ka thënë ai.
Demaj tutje ka thënë se punëtorët kanë kërkuar takim me pronarin e kompanisë “Elkos”, Ramiz Kelmendin, mirëpo se i njëjti ka refuzuar.
Siç pretendon ai, nuk ka pasur as ndonjë eskalim të situatës siç ka pretenduar Kelmendi.
“Edhe Ramiz Kelmendi që ka thënë se e kemi kërcënënuar, ne 50 punëtor kemi shkuar tek zyret e tina, 3 punëtorë kanë shku të sigurimi I tij dhe kanë lyp takim me të. Sigurimi u ka thënë se pronari i kompanisë është në mbledhje me bankat e Kosovë”, ka thënë ai
“Ka thënë pritni, kemi pritë dy orë na ka ardh përgjigja se nuk ka kohë dhe prap ka bisedime të tjera. Kurrfarë eksesi nuk ka pasur. Kjo mund të dëshmohet në çdo formë. Këtë mund ta dëshmojë edhe sigurimi”, ka përfunduar Demaj.
E krejt ndryshe po thonë nga kompania “Elkos”. Menaxheri i kësaj të fundit, Blerim Nikçi për lajmi.net tha se kompania të cilën ai e menaxhon ua ka shkëputur kontratat tetë punëtorëve, mirëpo me arsye.
Sipas tij, ata ishin paralajmëruar më herë për këtë.
Ai ka thënë se kompania të cilën ai e menaxhon ua ka shkëputur kontratat tetë punëtorëve dhe jo 50 aq sa ishin në protestë.
Siç bëri të ditur ai, komisioni e ka marrë këtë vendim pas vërejtjes së tretë me shkrim dërguar të njëjtëve.
“Janë 8 punëtorë të cilëve u është shkëputur kontrata dhe jo 50. Të tjerët kanë dalur për t’u solidarizuar me ta. Atyre Komisioni ua ka shkëputur kontratën pas vërejtjes së tretë me shkrim. Pra bëhet fjalë për 8 persona”, ka thënë Nikçi për lajmi.net.
Nikçi ka thënë se të njëjtit e kanë edhe mundësinë e ankesës në lidhje me vendimin e kompanisë në Inspektoratin e Punës.
“Elkos” njihet si njëra ndër kompanitë më të mëdha importuese në Kosovë, pronar i së cilës është deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi.
Kujtojmë, se Kelmendi është përballur tash e sa kohë me drejtësinë për akuzat lidhur me vjedhje të rrymës.