Firma australiane e teknologjisë Latitude Group Holdings bëri të ditur se kishte nxjerrë platformat e saj jashtë linje pasi sulmi kibernetik i zbuluar javën e kaluar mbeti aktiv, duke shtuar se Policia Federale po hetonte incidentin.
Latitude, e cila ofron shërbime të financimit të konsumatorit për shitësit me pakicë Harvey Norman dhe JB Hi-Fi, tha se sulmi dukej “i mirë-organizuar” dhe se do të rifillonte shërbimet “gradualisht gjatë ditëve në vijim”.
Javën e kaluar, firma tha se të dhënat personale, kryesisht kopjet e patentës së shoferit, të rreth 330,000 klientëve dhe aplikantëve ishin vjedhur, raporton Reuters.
Disa firma australiane kanë raportuar sulme kibernetike gjatë muajve të fundit dhe ekspertët thonë se kjo po ndodhë për shkak të një industrie të sigurisë kibernetike të pamjaftueshme në vend.
Latitude tha se Policia Federale Australiane dhe Qendra Australiane e Sigurisë Kibernetike po hetonin sulmin.
Aksionet e Latitude nuk janë tregtuar që nga 15 marsi, një ditë para se kompania të zbulonte për herë të parë sulmin kibernetik.