Site icon PrishtinaPress

Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit: Janë gjetur disa eshtra në Prekaz, mund të jenë të personave në listën e të zhdukurve

Komisioni Qeveritar për të Personat e Zhdukur ka konfirmuar se janë gjetur eshtrat e disa personave në Prekaz të Skenderajt, shkruan Gazeta Express.

Përmes një komunikate për media, nga ky Komision kanë thënë se mund të jenë të personave që janë në Listën e Personave të Zhdukur.

“Gërmimet e realizuara brenda këtyre tri javëve, në lokacionin në Prekaz të Poshtëm, kanë rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore (eshtrave) të disa viktimave, që potencialisht mund të jenë në Listën e Personave të Zhdukur. Gërmimet në lokacionin në Prekaz të Poshtëm janë kryer në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, Departamentit Special, pas shqyrtimit të hollësishëm të të gjitha të dhënave dhe një sërë takimesh konsultative ndërinstitucionale mes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, njësiteve të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore me mbështetjen edhe të ekspertëve të EULEX-it, bazuar edhe në rekomandimet e Raportit Analitik të përgatitur nga KNKK”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se këto mbetje do të dërgohen për ekzaminime të nevojshme mjeko-ligjore për t’u bërë identifikimi i tyre.

“Mbetjet mortore të zhvarrosura do të dërgohen për ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore dhe identifikimin përmes analizës shkencore të ADN-së. Sipas ekzaminimeve të para, mund të bëhet fjalë për së paku eshtrat e gjashtë (6) personave, por për të konfirmuar numrin dhe identitetin e individëve të zhvarrosur është i domosdoshëm përfundimi i të gjitha procedurave nga institucionet relevante, që do të pasohet me informim të familjarëve dhe publikut”, thuhet në njoftim. /Express/

 

 

Exit mobile version