Anëtarët e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes kanë miratuar një mori projektligjesh që kanë të bëjnë me institucionet e sigurisë së lartë, siç është Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.
Deputetët e pozitës dhe opozitës kanë shqyrtuar dhe miratuar Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, Projektligjin për Letërnjoftimin dhe atë për Shërbimet Private të Sigurisë, duke i dërguar për shqyrtim dhe miratim në seancë plenare.
Po ashtu, deputetët miratuan edhe raportin me propozim-amendamentet për Projektligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
Deputetja e LVV-së, Shqipe Mehmeti-Selimi, teksa ka prezantuar propozim-amendamentet, tha se janë inkorporuar edhe propozimet e opozitës.
“Ne si grup punues të Komisionit funksional, kemi punuar këtë projektligj për siguri. Disa amendamente të propozuar nga deputeti Qalaj janë inkorporuar si amendamente të komisionit”, tha Mehmeti-Selimi.
Po ashtu, anëtarët e Komisionit miratuan edhe raportin me rekomandime për projektligjin për Shërbimet Private të Sigurisë dhe raportin me rekomandime për Projektligjin për Mbrojtje nga Zjarri./EO/