Site icon PrishtinaPress

Komisioni për matjen e territorit mblidhet më 24 janar – Qeveria e gatshme të procedojë pa opozitën

Komisioni shtetëror për matjen e territorit të Republikës së Kosovës pritet të mbajë takimin e parë të martën, më 24 janar. Komisioni përbëhet nga ekspertë, të cilët janë deleguar nga institucionet dhe subjektet e ndryshme vendore. Ndërkaq, pritet të ketë edhe ekspertë në cilësinë e vëzhguesit nga faktori relevant ndërkombëtar.

Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, thanë se kjo matje nuk do të marrë shumë kohë dhe se me anë të këtij procesi, do t’i jepet një përgjigje profesionale dhe shkencore pyetjes se a ka humbur apo jo territor shteti i Kosovës me marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, i tha Radios Evropa e Lirë procedurat e punës në Komision do të përcaktohen nga anëtarët e tij.

“Çështja në fjalë duhet të ri-procedohet sa më shpejt që është e mundur në Kuvendin e Kosovës. Si Qeveri, konsiderojmë se matja e territorit është edhe një mundësi e re për ta zgjidhur një problem shumë të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe për vendin tonë, në përgjithësi. Rezultatet e Komisionit nuk duhet të paragjykohen, sepse kemi të bëjmë me ekspertë, me profesionistë të fushës”, tha Abdullahu.

Matja e territorit, është iniciuar si kërkesë nga ana e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, pas akuzave të opozitës, por edhe disa deputetëve në pushtet, se me Marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë territor.

Qeveria e Kosovës u ka dërguar ftesën partive opozitare për t’u bërë pjesë e Komisionit që do të bënte matjen e territorit të Kosovës, por ato kanë refuzuar të jenë pjesë e këtij komisioni.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha për Radion Evropa e Lirë se komisioni i ri i formuar nga Qeveria për matjen e territorit të Kosovës, është vazhdimësi e akteve të papërgjegjshme të kryeministrit Isa Mustafa.

“Nuk dëshirojmë të legjitimojmë veprime dhe marrëveshje tejet të dëmshme për të ardhmen e Kosovës, siç është edhe Komisioni për matjen e territorit. Në këtë drejtim ne e kemi thënë dhe prapë po e themi që AAK-ja nuk dërgon dhe nuk do të ketë anëtar në këtë komision”, theksoi Lekaj.

Ai shtoi se udhëheqësit e vendit po përpiqen që disa procese tashmë të përmbyllura, si Marrëveshja për demarkacionin, të ringjallen me forma të tilla të formimit të komisioneve, të cilat nuk do të zgjidhin sërish problemin e krijuar.

“Në vend të këtyre veprimeve të papërgjegjshme, kryeministri duhet të marrë një vendim shumë thelbësor dhe ta hedhë poshtë këtë version, sepse për ne është e vdekur ajo temë “, u shpreh Lekaj.

Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje thanë se nuk do të marrin pjesë në komisionin që do të nisë punën të martën rreth matjes së territorit të Kosovës.

Albulena Haxhiu, deputete në Kuvendin e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se puna e atij komisioni është vetëm një hap për të rikthyer në diskutim çështjen e demarkacionit, që për Vetëvendosjen është çështje e vdekur që nga 1 shtatori i vitit 2016.

Ajo tha se nuk do të lejohet në asnjë formë që të rikthehet demarkacioni në versionin aktual të tij, që, siç tha ajo, “e cenon rëndë integritetin territorial të Republikës së Kosovës, duke ia humbur 8200 hektarë tokë”.

“Tashmë janë argumentuar edhe në mënyrë shkencore gabimet në demarkacionin e sjellë nga Komisioni Shtetëror i Murat Mehës. Prandaj, i vetmi hap që do të duhej të ndërmerrej nga Qeveria e Kosovës, është rikthimi i demarkacionit në pikën zero dhe rishqyrtimi i tërësishëm i tij”.

“Në përputhje me këtë, ne, përveç se nuk marrim pjesë në Komision, e cilësojmë të panevojshëm një të tillë. Në vend të tij, i shohim të domosdoshme dy komisione të tjera: një që e shqyrton tërësisht demarkacionin dhe një që i heton shkeljet e Komisionit Shtetëror të drejtuar nga Murat Meha, qofshin ato procedurale apo ato penale, nëse veç ka edhe të tilla”, tha Haxhiu.

Në anën tjetër, sipas analistëve politikë, çfarëdo qasje e njëanshme, pa gjithëpërfshirje, nuk prodhon ndonjë rezultat konkret. Analisti Driton Selmanaj tha për Radion Evropa e Lirë se partitë politike opozitare nëse refuzojnë të jenë pjesë e komisionit, mund edhe t’i kenë arsyet e tyre, por siç tha ai, sabotimi i secilës iniciative nuk duhet të vlerësohet.

“Rezultati në kontestin politik them se është minimal, sepse këtu duhet një dakordim edhe i opozitës. Kërkohet një bashkëpunim më i afërt, në mënyrë që kjo tematikë të marrë epilog. Unë mendoj se më tepër po bëhet përpjekje për t’i bindur deputetët e pushtetit sesa të opozitës”, tha Selmanaj.

Ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, është një prej dy kushteve të fundit nga Bashkimi Evropian, që Kosova duhet t’i plotësojë për të marrë liberalizimin e vizave.

Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit, e nënshkruar më 26 gusht 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve, sipas zyrtareve të Qeverisë do t’i hapte udhë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së dhe do të fuqizonte shtetësinë e Kosovës.

Exit mobile version