Në mbështetje të të dhënave, argumenteve dhe gjetjeve profesionale, shkencore dhe menaxheriale që u ofruan nga institucionet pjesëmarrëse në procesin e matjes, si dhe debatit dhe verifikimit të mbulueshmërisë me dokumentacion administrativ e hartografik nga ekipi i specialistëve të fushave të ngushta në terren, pikërisht në segmentet dhe pikat e diskutueshme, Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës njofton se madhësia territoriale e Republikës së Kosovës para 25 gushtit 2015, përkatësisht nga vitet 1961-1981 është 10887 km² dhe nga vitet 1982-2007 është 10908 km².
Mirëpo, në bazë të obligimeve ndërkombëtare që ka marrë shteti ynë, në radhë të parë me Planin e Ahtisaarit (Aneksi VIII) të 2 shkurtit 2007, me demarkacionin e kufirit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi) dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë ka një ndryshim të vogël të sipërfaqes në zonat kadastrale të Debëlldesë (minus), Restelicës (minus) dhe Dimcës (plus), në kufi me Maqedoninë. Prandaj, MADHËSIA TERRITORIALE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS SOT ËSHTË 10905.25 KM².
Pjesë e këtij Draft-raporti, si dhe Raportit përfundimtar të punës së Komisionit dhe të dokumentacionit (gjeoinformacioni, hartat e kadastrit të tokave, hartat topografike, skicat, të dhënat statistikore, planet zhvillimore e mjedisore, baza ligjore, faktet shkencore etj.), si dhe të gjetjeve profesionale, shkencore dhe menaxheriale të subjekteve pjesëmarrëse në proces, që lidhen me madhësinë territoriale të Kosovës dhe të njësive më të vogla territoriale-administrative, do të jenë disa anekse.
Prishtinë, 21. 02. 2017
Për Komisionin e ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës
Akademik Hivzi ISLAMI, Kryetar