Sot në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Arsim do të diskutohet lidhur me kompensimin e orëve të humbura mësimore, si pasojë e grevës së mësimdhënësve.
SBASHK-u e ministria e Arsimit po vazhdojnë përplasjet për orët e humbura nga greva.
Kjo mosmarrëveshje tashmë ka kaluar edhe në rrafshin e gjykatave, ku sindikata e Arsimit e ka paditur ministrinë, dhe njëkohësisht ka kërkuar pezullimin e vendimit për kompensimin e orëve të humbura, shkruan lajmi.net.
Megjithëse gjykata ia refuzoi kërkesën për pezullimin e vendimit, SBASHK-u nuk e ka ndërmend t’i kompensojë orët e humbura.
Rrahman Jashari, kryetar i SBASHK-ut, për lajmi.net tha dje (e enjte) se sindikata që udhëheq ai nuk e ka ndërmend t’i kompensojë orët e humbura.
Megjithatë, ai thotë se disa shkolla tashmë po e bëjnë një gjë të tillë, dhe se sipas tij, krejt kjo është rezultat i presionit të ministrisë së Arsimit.
“Pas presionit të ministrisë së Arsimit, disa shkolla nuk e kanë përkrahur vendimin e SBASHK-ut. Megjithatë në jemi të vendosur dhe se do të presim verdiktin e gjykatës në lidhje me këtë çështje”, ka thënë ai.
Jashari po ashtu ka bërë të ditur se në lidhje me këtë, nesër do të mbahet takim me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, ku pritet të diskutohet edhe ky problem.
E krejt ndryshe thonë nga ministria e Arsimit.
Valmira Gashi, zëdhënës në këtë ministri, për lajmi.net tha se vendimi për kompensimin e orëve të humbura është në interes të nxënësve, në mënyrë që atyre t’u rikuperohet dëmi që është shkaktuar nga greva.
“Vendimi i Ministrit për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës ka qëllim tejet pozitiv, është në përputhje me interesin e nxënësve, në mënyrë që të rikuperohet dëmi që u është shkaktuar atyre nga greva”, ka thënë Gashi për lajmi.net.
Megjithëse Gashi thotë, se forma e planifikuar e zëvendësimit të orëve është bërë në koordinim të plotë me Drejtoritë Komunale të Arsimit, ai nuk specifikon nëse kompensimi i tyre do të bëhet edhe gjatë pushimit të verës.
“Lidhur me vendimin ne fjalë, ju njoftojmë se forma e planifikuar për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës se organizuar nga SBASHK-u është bërë në koordinim të plotë me Drejtoritë Komunale të Arsimit”, ka thënë tutje Gashi.
“Nuk ka asnjë dispozitë ligjore që e ndalon zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, madje vendimi është marrë në përputhje të plote me udhëzimin administrativ për kalendarin e vitit shkollor 2018/19”, thotë Gashi.
Kujtojmë, se Sindikata e Bashkuar e Arsimit kishte hyrë në grevë e cila kishte zgjatur tre javë.
Greva ishte organizuar me qëllim përmbushjen e kërkesave të sindikalistëve, ku përfshihej rritja e pagave dhe rritja e koeficientit për 30 për qind në Ligjin e ri.