Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, të kryesuar nga kryetari i Komisionit, Muhamet Mustafa, ka raportuar u.d. i kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji z. Krenar Bujupi, lidhur me problemet aktuale të furnizimit me energji.
Çështja e ndërprerjeve të energjisë elektrike me theks në zonat rurale, faturimin e energjisë elektrike, kohen e leximit të njehsorëve të energjisë elektrike, importin dhe eksportin e energjisë elektrike dhe reflektimin e tyre në tarifa, çmimin e importit, njehsorët e energjisë elektrike, etj, ishin çështjet që u ngritën nga të gjithë anëtarët e Komisionit, për të cilat u përgjigj z.Bujupi.
Pas një diskutimi të gjerë, anëtarët e Komisionit mbështeten raportimin e tij, duke kërkuar angazhimin e ZRRE-së në evitimin e ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe furnizim të rregullt e cilësor me energji elektrike për konsumatorët.
Më pas Komisioni miratoi nismën legjislative “Plotësimi i Ligjit nr.04/L-033 për Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit”.
Po ashtu në këtë mbledhje Komisioni miratoi edhe Raportin me Rekomandime të Projektligjit nr.05/L-117 për Akreditim.