Site icon PrishtinaPress

Komisioni Evropian shtyn për vjeshtë raportet e progresit për vendet e Ballkanit

Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi ka konfirmuar të martën në një paraqitje para deputetëve në Komisionin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, se raportet e progresit për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, së bashku me paketën e zgjerimit, do të prezantohen në shtator.

Këto raporte ishte paralajmëruar të miratohen dhe bëhen publike në muajin qershor dhe të njëjtin muaj ishte planifikuar që të debatoheshin në Këshillin e Bashkimit Evropian. Por, komisionari Varhelyi ka thënë se ka pasur disa arsye që publikimi i këtyre raporteve është shtyrë, duke përmendur edhe pengesat që ka krijuar pandemia e coronavirusit, si dhe pritja që kësaj pakete t’i bashkëngjitet edhe plani ekonomik dhe investimet për këtë rajon.

Ai ka thënë se puna në kohën e pandemisë e ka bërë të vështirë të parashihet edhe procesi i reformave në rajon dhe zhvillimi ekonomik.

Megjithatë, Varhelyi ka thënë se Komisioni dëshiron që të ketë raporte domethënëse të progresit.

Paketa e zgjerimit, që përmban strategjinë e BE-së për këtë proces dhe raportet individuale të progresit për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, miratohen dhe publikohen një herë në vit.

Në to vlerësohen të arriturat në të gjitha këto vende sa i përket përafrimit të legjislacionit me BE-në, progresi në fusha të caktuara, por aty paraqiten edhe mangësitë të cilat i identifikon Komisioni Evropian.

Komisionari Varhelyi është shprehur se fokusi i Komisionit Evropian mbetet në përpilimin e kornizave negociuese për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, këto do të bëhen sipas planit, pra në muajin qershor.

Raportet e progresit, që pritet të publikohen në muajin shtator, varen nga ajo se a do të ketë pajtim për kornizën shumëvjeçare financiare të BE-së.

Miratimi i kësaj kornize është i rëndësishëm edhe për planin investues dhe zhvillimor të BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ka diplomatë në BE, të cilët mendojnë se arsyeja për shtyrjen e raporteve të progresit është situata e vështirë politike në shumë vende të rajonit. Nëse këto raporte do të miratoheshin tani, ato do të pasqyronin shumë gjëra pozitive dhe kjo do të mund të shfrytëzohej nga kritikët e procesit të zgjerimit të BE-së./Rel/

Exit mobile version