Më 1 janar 2024, i erdhi fundi pritjes disavjeçare të qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm, në zonën Schengen.
Liberalizimi i vizave u bë realitet.
Kjo nënkupton heqjen e kufizimit të lëvizjes, por si e drejtë ajo assesi nuk mund të keqpërdoret.
Komisioni Evropian parasheh monitorimin e lëvizjes së lirë, e madje sipas KE-së liberalizimi mund të pezullohet në rast se vendet që nuk kanë regjim të vizave në Bashkimin Evropian (në këtë rast edhe Kosova), i shkelin rregullat.
Kështu tha në një përgjigje për Klankosova.tv, Anita Hipper, zëdhënëse e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme.
“Ligji i BE-së parasheh mundësinë e pezullimit ose përfundimit të përjashtimeve nga vizat në rrethanat specifike. Më 18 tetor 2023, Komisioni propozoi forcimin e mekanizmit të pezullimit të vizave duke zgjeruar bazat për pezullimin dhe forcimin e monitorimit të vendeve pa viza. Ky propozim tani po shqyrtohet nga Këshilli dhe Parlamenti Evropian”, tha Hipper.
Ajo deklaroi se megjithatë pezullimi mbetet mekanizmi i fundit nga Komisioni Evropian.
Hipper thotë se ky mekanizëm u prezantua në vitin 2013-të, duke pasur si qëllim kryesor, ndalimin e rritjes së migrimit të parregullt.
“Mekanizmi u rishikua më pas në vitin 2017 duke e bërë më të lehtë për shtetet anëtare të njoftojnë rrethanat që çojnë në një pezullim të mundshëm dhe duke i mundësuar Komisionit të aktivizojë mekanizmin e pezullimit me iniciativën e tij. Komisioni mund të nxitë mekanizmin e pezullimit në rast se disa kërkesa nuk plotësohen, sa i përket përmbushjes së standardeve për liberalizimin e vizave nga vendet që kanë kaluar një dialog për liberalizimin e vizave”, theksoi ajo.
Zëdhënësja e KE-së për Çështje të Brendshme tha se Sistemi ETIA-s nuk ka hyrë ende në funksion.
“Arkitektura e udhërrëfyesit të ri të sistemit të hyrjes dhe daljes do të jetë gati në vjeshtën e vitit 2024, kurse Sistemi ETIA-s do të hyjë në funksion në pranverën e vitit 2025”, tha Hipper.
Ajo shtoi se raportet e mekanizmit të pezullimit janë pjesë e monitorimit dhe detyrimit vjetor.
“Komisioni ka nxjerrë raporte në kuadër të mekanizmit të pezullimit të vizave në baza vjetore, që nga viti 2017-të”, tha zëdhënësja e KE-së, njofton Klankosova.tv.
Cilat janë rregullat e udhëtimit brenda zonës Schengen?
Udhëtimi pa viza bart me vete disa rregulla, që qytetarët e Kosovës duhet t’i dinë.
Heqja e vizave, nënkupton që ata kanë të drejtë të qëndrojnë brenda zonës Schengen, 90 ditë për gjashtë muaj. Kjo e drejtë atyre duhet t’ju shërbejë për vizita turistike, familjare, takime biznesi, programe studimesh etj.
Me vete duhet ta kenë adresën e akomodimit, biletën e kthimit dhe dëshmi të mjeteve të mjaftueshme financiare, sigurimi shëndetësor rekomandohet por nuk është i obligueshëm.
Lëvizja e lirë nuk nënkupton edhe të drejtën e punës atje, përpos nëse qytetarët kanë aplikuar dhe iu është pranuar viza e punës, në njën shtet të caktuar të BE-së.
Por, mosrespektimi i këtyre rregullave nënkupton automatikisht gjobë ose edhe ndalesën e hyrjes deri në pesëvjet brenda Schengenit.