Kombëtarja e Gambisë është detyruar të hiqte dorë nga fluturimi drejt Bregut të Fildishtë për Kupën e Kombeve të Afrikës (AFCON) pas humbjes së presionit dhe të oksigjenit në kabinën e aeroplanit.
Ekipi po udhëtonte nga Banjul, kryeqyteti i Gambisë, drejt Yamoussoukro, Bregu i Fildishtë, pasi e kishte kaluar paraprakisht një kohë në Arabinë Saudite për t’u bërë gati për garën më të madhe të kontinentit afrikan, shkruan “The Athletic”.
Problemet në aeroplan u zbuluan, siç thotë Federata e Futbollit të Gambisë (GFF), nëntë minuta pas nisjes së fluturimit, me problemet që e detyruan aeroplanin të ateronte prapë në Banjul.
GFF sqaroi se të gjithë udhëtarët janë të sigurt dhe me shëndet të mirë dhe se ekipi pasi zbarkoi përsëri në atdhe, e zhvilloi një stërvitje në “Independence Stadium” në Bakau, një qytet në perëndim të Banjul.
Kontingjenti i Kombëtares së Gambisë do ta marrë prapë rrugën drejt Bregut të Fildishtë, ndërsa lojtarët në udhëtimin e dytë do të mundohen ta harrojnë tmerrin që e panë me sy në herën e parë.