Site icon PrishtinaPress

Kombet e Bashkuara e përkrahin anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL /Dokument

Republika e Kosovës nuk ka asnjë pengesë për anëtarësim në INTERPOL. Këtë e konstatojnë edhe vetë Kombet e Bashkuara në një interpretim ligjor për Kosovën.

Në maj të vitit 2015, Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Ligjore pranë INTERPOL-it, Joël Sollier, i kishte dërguar një letër Nënsekretarit të Përgjithshëm për Çështje Ligjore dhe Këshilltarit Ligjor pranë Kombeve të Bashkuara, Miguel de Serpa Soares.

Sollier përmes kësaj letre që ka siguruar Ballkani.info, kishte kërkuar nga de Serpa Soares një interpretim ligjor të Kombeve të Bashkuara për kërkesën e dorëzuar asokohe nga ana e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.

Në letrën e tij, de Serpa Soares kishte theksuar se si pjesë e procesit të rikonfigurimit, me kalimin e kohës, UNMIK-u ka pushuar së ushtruari përgjegjësitë operacionale në fushën e sundimit të së drejtës, veçanërisht në fushat e policisë, drejtësisë dhe doganave. Megjithatë, sipas tij, UNMIK-u vazhdon të lehtësojë, aty ku është e nevojshme dhe e mundur, aranzhimet për angazhimin e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Prandaj, ai kishte thënë se UNMIK-u vazhdon të zbatojë Memorandumin e Mirëkuptimit me INTERPOL-in, përmes, ndër të tjera, shërbimit si pikë e caktuar e kontaktit në Kosovë.

Kjo përgjigje e de Serpa Soares dërguar Sollierit e konfirmon domosdoshmërinë e pranimit të Kosovës në INTERPOL edhe për vetë interesin e vendeve të treta, përfshirë këtu edhe vendet fqinje, duke pasur parasysh se duhet të plotësohet boshllëku i krijuar nga pushimi i ushtrimit të përgjegjësive operacionale me rikonfigurimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë.

De Serpa Soares ndër të tjera ishte shprehur se kërkesa nga autoritetet e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL është një çështje që u takon ekskluzivisht INTERPOL-it dhe organeve të saj. Ai kishte thënë se varësisht nga vendimi që do të merret nga INTERPOL-i dhe organet e saj, do të mund të jetë e nevojshme që të rishikohet Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar nga UNMIK-u dhe INTERPOL-i më 20 dhjetor 2002.

Në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, INTERPOL, e cila do t’i zhvillojë punimet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, gjatë muajit nëntor të këtij viti, pritet të votohet për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë.

Exit mobile version